NATO-ja për 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës: Puna jonë mbetet sigurimi i paqes dhe lirisë së lëvizjes për të gjithë pa dallim
NATO-ja përmes një postimi në faqen zyrtare kanë shkruar me rastin e 25-vjetorit të ndërhyrjes së forcave ushtarake të Aleancës Veri-Atlantike në Kosovë.
Kosova ka shënuar datën 12 qershor duke festuar 25-vjetorin e Ditës së Çlirimit – një ditë që simbolizon hyrjen e trupave paqeruajtëse të NATO-s në territorin e saj.
Ky moment historik pasoi fushatën ajrore të kryer nga aleancës veriatlantike kundër forcave ushtarake dhe policore serbe, një përpjekje e vendosur për të ndalur vuajtjet e popullsisë shqiptare në Kosovë.
Në shenjë të këtij jubileu, NATO-ja ka bërë një postim në faqen e vet zyrtare, duke përkujtuar ndërhyrjen dhe të arriturat e saj brenda këtyre dy dekadave e gjysmë.
“Sot shënohen 25 vjet nga misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë. Misioni ynë mbetet i fokusuar në ruajtjen e një mjedis të sigurt dhe garantimin e lirisë së lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë, në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me mandatin e OKB-së”, thuhet në njoftim.
Hyrja e trupave ndërkombëtare e bëri të mundur kthimin e mbi 800,000 refugjatëve dhe të zhvendosurve brenda territorit të Kosovës në shtëpitë e tyre, të cilët ishin detyruar të braktisnin vatrat e tyre në kohën e konfliktit dhe ishin strehuar në kampe emergjence në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut.
Përveç kësaj, tërheqja e forcave ushtarake dhe policore serbe çoi në largimin e një numri të konsiderueshëm të serbëve nga territori i Kosovës.
Intervenimi i NATO-s erdhi si një zgjidhje e fundit pas përpjekjeve të shumta diplomatike dhe konferencave ndërkombëtare si ajo e Rambujesë dhe e Parisit, ku përpjekjet për një marrëveshje paqeje u refuzuan nga Serbia, duke mos arritur të ndalte dhunën në Kosovë.
Konflikti i viteve 1998-99 shënoi humbjen e më shumë se 13,000 jetëve njerëzore dhe zhdukjen e më shumë se 6,000 personave.
Përtej statistikave tragjike, varrezat masive që u zbuluan në Serbi dëshmojnë për krimet e rënda që u ndërmorën për të fshehur masakrat e kryera ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Ndërsa kjo ditë e rëndësishme përkujtohet, fokusohet gjithashtu vëmendja në angazhimin e vazhdueshëm të NATO-s dhe të bashkësisë ndërkombëtare për të mbështetur sigurinë, paqen dhe stabilitetin në rajon.
Today marks 25 years of NATO’s Kosovo Force peacekeeping mission.
— NATO (@NATO) June 12, 2024
The mission works to maintain a safe and secure environment and freedom of movement for all people in Kosovo, impartially and in line with its UN mandate.
Learn more about @NATO_KFOR ë pic.twitter.com/GxvK2J8dxp