Në rajonin e Vërrinit të Prizrenit përurohet “Kalaja e UÇK-së”

Në rajonin e Vërrinit të Prizrenit përurohet “Kalaja e UÇK-së”

Aktuale June 12, 2024 - 14:34

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës së Çlirimit në Prizren, në rajonin e Vërrinit, përkatësisht në fshatin Arbëri (Leskovec), të mërkurën është bërë përurimi i “Kalasë së UÇK-së”.

Në ceremoninë e përurimit të këtij memoriali janë përkujtuar dëshmorët dhe luftëtarët e UÇK-së, angazhimi i të cilëve u cilësua si gur themel i shtetësisë së Kosovës.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka theksuar nuk është rastësi që në çerekshekullin e çlirimit të Prizrenit, Komuna në bashkëpunim me Agjencinë për Memoriale e finalizojnë këtë projekt.

Image
Foto: Raim Kurtaj

“Këto tri shkronja të arta të UÇK-së do të mbesin këtu si një dëshmi e një procesi shumë të rëndësishëm dhe një kontributi të jashtëzakonshëm që ia ka sjellë lirinë këtij vendi”, ka thënë Totaj.

Sekretari i OVL UÇK-së në Prizren, Isa Berisha ka bërë të ditur se hapësira ku përurohet “Kalaja e UÇK-së” ka qenë pikë strategjike e rajonit të Vërrinit.  “Ky projekt do të shërbej për gjeneratat e reja që të mësojnë për luftën e lavdishme të UÇK-së”, ka deklaruar Berisha.

Ndërsa ish-komandanti i UÇK-së nga kjo anë, Zafir Berisha ka vlerësuar se Prizrenit tashmë është bërë edhe më një kala. “Kalasë historike që e ka identifikuar me shekuj Prizrenin, nga sot po ia bashkëngjesim edhe Kalanë e UÇK-së në malet e Vërrinit, që do ti bën nder jo vetëm Prizrenit e Kosovës por edhe gjithë shqiptarisë”, është shprehur Berisha.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka kërkuar nga gjeneratat e reja që ta kujtojnë të shkuarën dhe mos ta humbin mirënjohjen atdheun dhe lirinë. “Njëzet e pesë vite më parë Kosova dhe kombi shqiptar kanë bërë një hap të madh, hapin nga robëria në liri”, ka thënë Limaj.

Image
Foto: Raim Kurtaj

Ish-gjenerali shqiptar i Divizionit të Kukësit, Kudusi Lame ka shprehur bindjen se lufta e UÇK-së ka kontribuar drejt krijimit të shtetit të Kosovës. “UÇK-ja është autore e clirimit të këtij trualli nga pushtimi shekullor serbosllav, është autore e krijimit të shtetit të Kosovës”, ka thënë Lame.

Image
Foto: Raim Kurtaj

Në emër të banorëve të fshatit Arbëri, Kastriot Krasniqi ka shprehur mirënjohje për të gjithë ata që kanë kontribuar në realizimin e këtij projekti. /Telegrafi