Krasniqi përmend Thaçin dhe të tjerët: Lufta e tyre për liri po vazhdon ende
Foto: Laura Hasani

Krasniqi përmend Thaçin dhe të tjerët: Lufta e tyre për liri po vazhdon ende

Aktuale June 12, 2024 - 12:03

Ndryshe nga liderët institucionalë, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i ka përmendur ish-krerët e UÇK-së, të cilët gjenden në paraburgim në Hagë.

Në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, e cila po mbahet për nder të Ditës së Çlirimit, ai ka thënë se lufta për liri e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimi nuk u ndal kurrë.

Ai ka vlerësuar se beteja e tyre për liri po vazhdon edhe sot.

“Këto 25 vite na kanë mësuar se liria nuk është kurrë e garantuar dhe nuk mund të merret si e mirëqenë. Për të duhet luftuar dhe atë duhet mbrojtur çdo ditë. Për të duhet punuar ndershëm e me zell, që ta ua kalojmë brezave pasues si trashëgimi. E kush e di këtë gjë më mirë se ne këtu, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi dhe shokët e tyre në Hagë që kanë thuajse katër dekada që luftojmë për liri dhe mbrojtjen e saj. Që nga protestat studentore e popullore në vitet e 80-ta, në celulat e para të krijimit të UÇK-së në fillim viteve 90-ta, lufte e tyre çlirimtare në fund të viteve 90-ta, në përpjekjet e jashtëzakonshme për pavarësi në dekadën e parë të këtij mijëvjeçari”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka thënë se këta burra janë testament i gjallë i sakrificave dhe i përpjekjeve të pandalshëm që kërkon liria dhe shteti.

I pari i PDK-së është shprehur i bindur në pafajësinë e tyre.

“Lufta e tyre nuk u ndalë kurrë. Sot jemi në vitin 2024 tashmë ata janë burra të thinju, ndërsa beteja e tyre për liri tonë po vazhdon ende. Këta burra janë testament i gjallë i sakrificave dhe i përpjekjeve të pandalshëm që kërkon liria dhe shteti. E dimë dhe jemi të bindur që shumë shpejt ata do t`i kemi në mesin tonë, prandaj sot në këtë ditë të shënuar, për të cilën secili prej tyre ka kontribuuar shumë, ua dërgojmë urimet dhe të falat tona dhe të mbarë popullit të Kosovës. Ju themi se ju jeni heronj të luftës dhe të paqes dhe se askush me asgjë nuk mund ta ndryshoj kurrë këtë të vërtetë. Qëndroni të fort se padyshim dielli do të lind përsëri”, ka thënë Krasniqi.