Rama ia dhuron “Çelësin e qytetit” ish-gazetarit të BBC-së

Rama ia dhuron “Çelësin e qytetit” ish-gazetarit të BBC-së

Aktuale June 12, 2024 - 10:42

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka pritur në takim ish-gazetarin britanik të BBC-së, David Loyn, të cilit ai ka dhuruar edhe “Çelësin e qytetit”, në 25-vjetorin e çlirimit të vendit.

Duke e falënderuar për kontributin e Loynit gjatë luftës, Rama ka theksuar se ka qenë njeri kyç që ka raportuar brenda Kosovës.

“Sot për Ditën e 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës, kam nderin me prezantu ‘Çelësin e kryeqytetit’ për një njëri të madh, një gazetar, korrespondent prej BBC-së, i cili gjatë kohës së luftës në vitin 1998 ka qenë njëri kyç që ka raportuar brenda Kosovës edhe ka qenë në momente kyçe që kanë treguar të vërtetën se çfarë po ndodh në Kosovë, pra ka treguar se nëpër çka po kalon populli ynë. Xhirimet prej gazetarëve të ndryshëm kanë kaluar nëpërmjet BBC-së nëpërmjet zotëri David Loyn edhe ky vetë faktikisht ka fytyra kyçe që ka raportuar nga brenda dhe si rezultat, Britania e Madhe, Amerika, anëtarët e NATO-s e kanë marrë vendimin që ta çlirojnë vendin tonë dhe që sot ne këtu ta gëzojmë lirinë pas 25 viteve”, ka theksuar Rama.

Ndërsa ish-gazetari Loyn ka theksuar se ndihet krenar për kontributin e tij gjatë luftës. /RTK