Arifi: Veprimet e Serbisë për Kosovën janë të koordinuara me Moskën
Foto: Laura Hasani / Arkiv

Arifi: Veprimet e Serbisë për Kosovën janë të koordinuara me Moskën

Aktuale June 11, 2024 - 19:55

Ish-kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Avni Arifi, ka folur për “kuvendin gjithëserb”, e që po shihet si pikënisje e synimeve të Serbisë për “Serbinë e Madhe”.

Arifi tha se aspiratat hegjemoniste të Serbisë vazhdojnë akoma e për të cilat tha se edhe investojnë në to, por sipas tij, pjesa më e bukur e kësaj është reagimi i ShBA-ve, reagim për të cilin tha se Serbia nuk e ka pritur të ishte kaq i madh.

“Nga pjesë të vogla opozitare në Serbi thuhet se Serbia nuk udhëhiqet më nga Vuciqi por nga ambasadori rus në Beograd”.

“Veprimet e Serbisë gjithsesi se janë të koordinuara me Kremlinin. Ekziston një interes i Moskës zyrtare që kudo që kanë satelitë, ta destabilizojnë paqen në botë. Një gjë e tillë ka ndodhur me Hesbollahun dhe Iranin”, tha Arifi në Klan Kosova.

Më tej, ai tha se Rusia kudo që ka ndikim i ka aktivizuar satelitët e saj, teksa shtoi se edhe “kuvendin gjithëserb” e sheh si vazhdimësi të veprimeve ruse.

“Kudo që ka ndikim dhe elemente të saj, i ka aktivizuar e edhe këtë e shoh si një vazhdimësi të veprimeve ruse, ku përmes satelitëve të saj Ballkan, që qëllim kanë destabilizimin e Ballkanit dhe krijimin e një vatre të re të krizës”, tha ai.