A u zu në befasi Osmani nga letra e Gërvallës drejtuar KiE-së? Flet kryediplomatja kosovare
Foto: Laura Hasani

A u zu në befasi Osmani nga letra e Gërvallës drejtuar KiE-së? Flet kryediplomatja kosovare

Aktuale June 11, 2024 - 18:58

Institucionet e Republikës së Kosovës po tregojnë një nivel të lartë të koordinimit në tema të rëndësishme për vendin, duke lejuar edhe mendime të ndryshme dhe debate të hapura.

Kështu u shpreh Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, kur u pyet se a ka koordinim mes institucioneve të Kosovës.

“Koordinimi ynë ka qenë kaq i fuqishëm sa ka lejuar edhe mendime të ndryshme, debat dhe situata të ndryshme”, tha Gërvalla.

Ajo tha se megjithëse koordinimi është i fortë, nuk do të thotë që të gjithë janë automatikisht të një mendimi, duke iu referuar kështu reagimit që pati Presidenca e Kosovës lidhur me letrën që kishte dërguar Gërvalla në Këshill të Evropës.

“Si duket e kemi zënë në befasi, dhe nuk ka qenë e informuar. Po si duket nuk është informuar edhe a është dashtë me informuar po, po të kishin qenë rrethanat normale dhe të mos kishte qenë shpejtësia e jashtëzakonshme edhe spontaniteti i një veprimi të tillë, atëherë me siguri që do ishte informuar, sepse nuk ka asnjë arsye për të mos e informuar”, u shpreh ministrja për Telegrafin.

Kujtojmë se Presidenca e Kosovës kishte bërë të ditur se veprimi i bërë nga Qeveria e Kosovës, konkretisht nga MPJD-ja rreth draft-statutit të Asociacionit dhe çështjes së Këshillit të Evropës, nuk ishte konsultuar e as dakorduar me presidenten Vjosa Osmani.

Në lidhje me komunikimin e institucioneve, Gërvalla u shpreh se ka raste kur ndodh që dikush të propozojë një ide dhe të tjerët nuk dinë për të, por kjo është një gjë e zakonshme në politikën e brendshme dhe atë të jashtme.

Ajo nënvizoi se koordinimi i institucioneve shpeshherë ka shkuar përtej kompetencave të caktuara në Kushtetutë dhe ligje.

E pyetur se a mund të jetë kjo thyerja e parë, ministrja u përgjigj “mund të jetë por ja që nuk është, për fat të mirë nuk është.”

“Unë me shumë përgjegjësi mund t’ju them që institucionet e Republikës së Kosovës, këto institucione që i ka zgjedhë vota e qytetarit tre vjet më parë janë shumë të koordinuara, bashkëpunojnë shumë mes vete edhe janë shumë të sigurta në rrugën që propozojnë të ndjekë Republika e Kosovës. Por na lejoni që nganjëherë t’i kemi edhe ne debatet tona, nganjëherë të kemi të zgjedhim edhe ne që të mos kemi gjithmonë të njëjtin mendim. Këtë situatë e shoh më shumë një tendencë për gjetje dhe shpikje të temave në mungesë të skandaleve serioze”, tha Gërvalla.

Sipas saj presidentja Osmani ka qenë temë e debateve, por koordinimi i institucioneve ka garantuar një përgjigje të qartë dhe të koordinuar ndaj sfidave.

“Në Republikën e Kosovës, presidentja Osmani shpesh ka qenë temë e debateve në mbrëmje të analistëve me atë që asnjëherë nuk po ka mendim të vetin, gjithkund veç notere Albin Kurti, vetëm po ia qetë vulën e tjerë e tjerë.. Domethënë presidentja Osmani kah do që të lëviz prapëseprapë keq. Nëse del me një vendim të saj, i cili nuk përputhet me një me një hap të caktuar që kemi ndërmarrë si Qeveri, atëherë u bë katastrofa, sepse presidentja Osmani paska një mendim ndryshe”, shtoi tutje Gërvalla.

Ministrja shtoi se presidentja e dha një mendim të saj dhe mendimi i saj u kthye në përpjekjen për krijimin e një opinioni që s’ka më bashkëpunim.

“Po qe s’e kemi lajmëruar nuk është gabimi i parë që unë personalisht ose dikush tjetër e bën përgjatë këtyre tre viteve”, tha Gërvalla.

Ministrja në fund u shpreh se niveli koordinimit dhe përkushtimi i institucioneve tregon një unitet dhe përgjegjësi të lartë ndaj qytetarëve të Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.