Shashkoci i Prishtinës qe një muaj pa ujë, banorët furnizohen nga kroi

Shashkoci i Prishtinës qe një muaj pa ujë, banorët furnizohen nga kroi

Aktuale June 11, 2024 - 15:06

Si në kohërat e lashta, banorët e fshatit Shashkoc të komunës së Prishtinës tash e një muaj thonë se janë duke u furnizuar me ujë të pijshëm nga kroi i fshatit.

Sipas tyre, ujësjellësi, i cili asnjëherë nuk ka funksionuar siç duhet, tash e një muaj ka ndalur furnizimin me ujë dhe ata po detyrohen të furnizohen me ujë vetëm nga kroi i fshatit, i cili është gati një kilometër larg shtëpive, shkruan Zeri.info.

“Gjysmë ore deri të mërrim tek rezervari. Të gjithë po bëjnë shaka këta në Kishnicë, po vijnë po marrin paret paushall, nuk shikojnë as orën, çdo muaj paguajmë nga 20 euro e ujë s’ka, katastrofë e madhe, hajni e madhe, qe gati dy muaj s’kem ujë, e shkatërrova edhe veturën”, thotë banori i cili bashkë me nipat e tij ishte duke marrë ujë te kroi i fshatit.

“Zëri” ka kontaktuar edhe kompaninë rajonale të ujësjellësit “Prishtina”, nga ku kanë treguar edhe arsyet e problemit për furnizim me ujë të kësaj zone.

Sipas tyre, problemi qëndron te dëmtimi i një rezervuari që gjendet në Shashkovc dhe pompa në fshatin Kishnicë.

Image

“Kemi telashe me dëmtimin e rezervuarit në fshatin Shashkovc, si dhe të pompave që gjenden në fshatin Kishnicë, tash jemi ne kontakt dhe janë duke u marrë shërbimi i elektros dhe makinerisë që t’i rregullojmë pompat sa më shpejt”, ka thënë për Zeri.info Arjeta Mjeku, zëdhënëse e KRU “Prishtina”.

Ndonëse banorët thanë se kanë mbetur pa ujë tash e më shumë se një muaj, nga Ujësjellësi thonë se ka pasur reduktime, por jo edhe ndërprerje të plotë të furnizimit.

“Problemi është qe një muaj, por jo tërësisht pa ujë, por me reduktime të kohëpaskohshme. Aty pas analizave të inxhinierëve tanë planifikohet që të ndërtohet një rezervuar i ri”, tha Mjeku.

Ajo nuk dha ndonjë datë se kur mund të sanohet problemi dhe të rikthehet furnizimi normal me ujë të pijshëm në këtë fshat, e deri atëherë banorët janë të detyruar të furnizohen nga kroi ose të blejnë ujë. /Zëri