
Kryetari i parë i Prishtinës së pasluftës: Kurrë s’jam ftuar në asnjë ceremoni solemne për kryeqytetin
Kryetari i parë i Komunës së Prishtinës, Mexhid Syla, i cili kishte ardhur në krye të kryeqytetit menjëherë pas çlirimit, është shprehur i pakënaqur me trajtimin që po i bëhet.
Syla në një intervistë për Radio Dukagjinin thotë se asnjë kryetar komune, pasues i tij, nuk e ka ftuar kurrë në asnjë seancë solemne për Ditën e Prishtinës.
“Që prej seancës së parë, në njëvjetorin e çlirimit të Prishtinës, të cilën e patëm organizuar në mënyrë madhështore, kurrë më nuk kam marrë pjesë në ndonjë seancë solemne të kryeqytetit”, ka thënë Syla.
Ish-kryetari Syla, që me profesion është avokat, thotë se nuk është i kënaqur as me zhvillimin e Prishtinës në përgjithësi.
“Prishtina është ndërtuar shumë, por pa plan. Shihni lagjet që janë ndërtuar më herët, kanë shkolla, kanë kopshte, kanë gjelbërim, gjithçka që i duhet një lagjeje”, tha ai.
Në këtë intervistë Syla thotë se ditët e para të udhëheqjes së Prishtinës kanë qenë shumë të rënda.
“Të mos them çdo ditë, por katër herë në javë, kam marrë hapa qetësimi. Më vinin njerëz me lloj-lloj problemesh. Kërkonin familjarët e tyre të humbur. Kërkonin të ktheheshin në punë, kërkonin vend për qëndrim, meqë shtëpitë u ishin djegur”.