Gjykata e Apelit ia jep vulën e PD-së Berishës, rrëzohet Lulzim Basha
Vula e Partisë Demokratike do të jetë në dorën e grupimit të Sali Berishës, i njohur deri më sot si “Rithemelimi”.
Trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Alma Ahmeti, Elona Toro dhe Iliba Bezati vendosën që të mos pranojnë ankimimin e bërë nga deputeti Enkelejd Alibeaj,duke ia marrë vulën e partisë më të madhe opozitare në vend Lulzim Bashës dhe duke ia dorëzuar Sali Berishës.
Vendimi i sotëm la në fuqi vendimin e ish-gjyqtarit Agron Zhukri, që ligjëroi vendimet e marra nga Kuvendi Kombëtar i thirrur nga ish-kryeministri.
Pas kësaj, me anë të një reagimi të shkurtër për mediat, deputeti i “Rithemelimit”, Flamur Noka, pati një mesazh për demokratët.
“Ftojmë gjithë demokratët të kthehen në shtëpinë e tyre”, tha ai.
Kështu, pas më shumë se dy vjetësh, merr fund konflikti brenda partisë politike se kush e drejton këtë forcë politike.
Ky vendim bën që kryetari i Partisë Demokratike zyrtare të jetë ish-kryeministri Sali Berisha, i cili ndodhet nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” pas hetimeve të nisura nga Prokuroria e Posaçme SPAK.
Beteja ligjore e PD-së
Më 11 dhjetor të 2021, Sali Berisha mbajti Kuvendin Kombëtar që shkarkonte Lulzim Bashën dhe ndryshoi logon dhe vulën
Në 18 dhjetor, Lulzim Basha zhvilloi Kuvendin e tij Kombëtar si përgjigje për Berishën dhe sanksionoi në statut se askush që është non grata nuk duhet të jetë pjesë e PD. Ndërkohë, po atë ditë mbështetësit e Berishës zhvilluan referendumin për ratifikimin e vendimeve të 11 Dhjetorit dhe nisi punën Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit.
Në 25 mars të 2022 Gjykata e Shkallës së Parë, me Gjyqtar Agron Zhukrin, tashmë të shkarkuar nga vettingu pranoi kërkesën e Komisionit të “Rithemelimit” për të regjistruar ndryshime statutore, por vendimi u apelua nga Enkelejd Alibeaj, kryetar i komanduar në atë kohë.
Më 3 mars të 2023 Gjykata e Apelit vendosi ta kthente në shkallë të parë, por ndaj këtij vendimi u bë rekurs nga Flamur Noka në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Rithemelimi dhe çështja shkoi në Gjykatën e Lartë.
Më 27 dhjetor 2023, Gjykata e Lartë riktheu çështjen në Apel dhe në vendimin e saj jep urdhëresa që gjykata e shkallës së dytë ta zgjidhë përfundimisht çështjen.