25-vjetori i çlirimit të Prishtinës, Rama bën thirrje për unitet
Foto: Laura Hasani

25-vjetori i çlirimit të Prishtinës, Rama bën thirrje për unitet

Aktuale June 11, 2024 - 13:03

Me rastin e Ditës së Çlirimit të Prishtinës, Kuvendi Komunal ka mbajtur të martën seancë solemne.

Kjo ditë nga krerët komunalë u cilësua si ndër ditët më të mëdha të historisë së Kosovës, ndërsa u kërkua edhe unitet, raporton Ekonomia Online.

Duke përmendur sakrificën e dëshmorëve e martirëve të luftës, kryetari i Prishtinës Përparim Rama tha se misioni i tyre është frymëzimi i brezave që vijnë. Të njëjtën tha se e kanë bërë dëshmorët e martirët.

“Sot përkujtomë një moment historik me rëndësi të veçantë, 25-vjetori i çlirimit të Prishtinës. Teksa përkujtomë 11 qershorin, duhet të ritheksojmë misionin tonë, përpjekjen tonë kolektive që udhëhiqet nga pasioni për të frymëzuar brezat që vijnë, siç ne u frymëzuam nga ata para nesh. Vlerat e vërteta njerëzore shkëlqejnë më së forti në kohë krize dhe historia jonë është dëshmi për këtë. Borxhi që ne kemi ndaj brezave të ardhshëm është që edhe ne t’ua lëmë atyre një trashëgimi uniteti, një trashëgimi fuqie”, u shpreh Rama.

Ndërsa kryetari i Kuvendit Komunal, Fehmi Kupina, ka thënë se përpjekja e shqiptarëve ndër breza dallohet si histori e sakrificës, krenarisë, heroizmit dhe vendosmërisë.

“Dita e lirisë së qytetit tonë Prishtinës domosdoshmërisht shënon ditën e lirisë së Kosovës dhe sot me të drejtë e themi se është një nga ditët me të madha të historisë moderne të Kosovës. Po festojmë 25-vjetorin e lirisë së Prishtinës e Kosovës, të cilën e arrijmë falë përpjekjeve te pashuara me dekada të tëra të rezistencës së vazhdueshme në shumë fusha, si arsim, në kulturë, me luftë politike etj. Përpjekja e shqiptarëve ndër breza dallohet si histori e sakrificës, krenarisë, heroizmit dhe vendosmërisë. Në këtë ditë festë nuk ka si të mos i kujtojmë dëshmorët, luftëtarët, viktimat e luftës që sakrifikuan gjithçka për të shtrenjtën liri”, u shpreh Kupina.

Image