Eksperti i mjekësisë ligjore: Vdekja e Marigonës erdhi si pasojë lëndimeve të shumëfishta

Eksperti i mjekësisë ligjore: Vdekja e Marigonës erdhi si pasojë lëndimeve të shumëfishta

Aktuale June 11, 2024 - 11:45

Në Gjykatën Themelore në Ferizaj ka vazhduar seanca e rigjykimit ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, të dyshuar për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit. Në seancën e kaluar të shqyrtimit gjyqësor trupi gjykues ka marrë vendim të dëgjohet eksperti i mjekësisë ligjore Naim Haliti, që ka marrë pjesë në përpilimin e autopsisë ndaj së ndjerës Marigona Osmani.

Në sallën e Gjykatës mjekoligjori Haliti tha se qëndron pas raportit të autopsisë që ka përpiluar pas ekzaminimit të vdekjes së Marigona Osmanit.

“Autopsinë e të ndjerës e kemi kryer më datë 22.8.2021 në Mjekësinë Ligjore në Prishtinë, me urdhëresë nga prokurori Valdet Avdiu. Me këtë datë e kemi kryer edhe ekzaminimin e jashtëm dhe të brendshëm të kufomës, si dhe provat biologjike. Ekzaminimi është kryer konform standardeve evropiane me kushtet që posedon IML-ja në Prishtinë”, tha Haliti.

Ai foli edhe për mënyrën sesi ka ardhur deri te vdekja e së ndjerës Osmani.

“Kemi përshkruar se vdekja e së ndjerës ka ardhur si pasojë lëndimeve të shumëfishta që quhet si poli traumë që kanë ardhur ai pasojë e dëmtimit të organeve vitale që kanë qenë të shkaktuar nga mjetet e topitura”, tha ai.

Gjykatësi e pyeti për detajet që i ka dhënë Haliti në autopsi, përfshirë lëndimet e shumta, thyerje të brinjëve etj.

“Pas ekzaminimit të kufomës, i kemi shkruar të gjitha lëndimet, politrauma duhet të specifikohet çdo lëndim veç e veç, mekanizmi i vdekjes mund të jetë i ndryshëm, nga asfiksia, përplasja goditja. Këto lëndime kanë qenë për së gjalli”, tha Haliti.

Kujtojmë se më 4 gusht 2023, Gjykata Themelore e Ferizajt e ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën për vrasjen e Marigona Osmanit. Ndërsa Arbër Sejdiu ishte dënuar me 15 vjet burgim për ndihmë në vrasjen e rëndë në bashkëkryerje. Krivaqa e Sejdiu ndërkaq ishin liruar nga vepra penale të dhunimit.

Por, Gjykata e Apelit me aprovimin e ankesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe mbrojtjes së dy të akuzuarve, e ka kthyer çështjen në rigjykim. Marigona Osmani, 18 vjeçe, u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt. /RTK