Kurti për Universitetin në veri: Ndonëse ilegal, po gjejmë mënyra për t’i pranuar diplomat
Foto: Laura Hasani

Kurti për Universitetin në veri: Ndonëse ilegal, po gjejmë mënyra për t’i pranuar diplomat

Aktuale June 11, 2024 - 11:16

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se integrimi i serbëve në Kosovë është i madh dhe se përfaqësuesit serbë janë në të gjitha institucionet qendrore dhe lokale, raporton Ekonomia Online.

Duke folur për Universitetin në veri të vendit, Kurti ka thënë se edhe pse është ilegal, po gjejnë mënyra për t’i pranuar ato diploma.

“Kosova është Republikë demokratike, serbët në Kosovë sipas pakos së Ahtisaarit kanë 10 vende në Parlament, gjuha serbe është gjuhë zyrtare, 10 komuna janë me shumicë serbe dhe 17 për qind e anëtarëve të kuvendeve komunale në të gjitha komunat janë serbë, bashkëpunojmë mirë. Në Qeveri e kam ministër Nenad Rashiqin dhe duam integrimin e serbeve. Kemi 4 për qind serbë dhe pakica të tjera, boshnjak, turk, ashkali dhe rom”, u shpreh Kurti.

“Pra duam të bashkëpunojmë mirë dhe të krijojmë Republikë të qytetarëve, pa barriera gjuhësore, e kemi ballkanologjinë në Fakultetin Filologjik që njerëzit të mësojnë më mirë. Megjithëse fakulteti në veri është ilegal, po gjejmë mënyra për t’i pranuar ato diploma nga fakulteti në veri, pra po verifikohen”, u shpreh Kurti.