Konjufca në 146-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit: 10 qershori paraqet ditëlindjen moderne të kombit shqiptar

Konjufca në 146-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit: 10 qershori paraqet ditëlindjen moderne të kombit shqiptar

Aktuale June 10, 2024 - 18:24

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca mori pjesë në shënimin e 146- vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Në kompleksi Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Konjufca tha se data 10 qershor përbën ngjarjen më të rëndësishme në formimin e kombit shqiptarë.

Konjufca potencoi se Lidhja Shqiptare e Prizrenit promovoi interesin e shqiptarëve si një shtet unik.

“Natyrisht se është njëra ndër dy datat më të rëndësishme të formimit të kombit tonë, kjo së bashku me 28 nëntorin e vitit 1912 përbëjnë ngjarjet më të rëndësishme historike që e konturuan fizionominë politike – kulturore – kombëtare të shqiptarëve, si një komb që mëtonte të jetonte i bashkuar fillimisht brenda Perandorisë Osmane e pastaj si shtet sovran dhe i pavarur. Lidhja Shqiptare e Prizrenit paraqet edhe aksionin e parë politik të shqiptarëve, që e promovon interesin e shqiptarëve si një shtet unik, ndryshe nga Perandoria Osmane dhe i ndryshëm prej popujve fqinj”, tha Konjufca.