Kurti takon drejtorin e Qendrës Memoriale të gjenocidit të Srebrenicës: Serbia të mbahet përgjegjëse për krimet dhe gjenocidet e kryera

Kurti takon drejtorin e Qendrës Memoriale të gjenocidit të Srebrenicës: Serbia të mbahet përgjegjëse për krimet dhe gjenocidet e kryera

Aktuale June 10, 2024 - 16:24

Kryeministri i vendit Albin Kurti e priti sot në takim Emir Suljagiq, drejtor i Qendrës Memoriale të gjenocidit të Srebrenicës, i cili po ashtu është edhe i mbijetuar i këtij gjenocidi të kryer nga forcat serbe në korrikun e vitit 1995, në të cilën u vranë mbi 8.000 boshnjakë.

Sipas njoftimit të Qeverisë thuhet se Kurti e vlerësoi miratimin e rezolutës së Kombeve të Bashkuara mbi 11 korrikun si Ditë Ndërkombëtare të përkujtimit të gjenocidit të Srebrenicës, ku edhe rikujtoi se Kuvendi i Kosovës ka miratuar në korrikun e vitit 2021 një rezolutë të posaçme e cila e dënon gjenocidin serb në Srebrenicë.

“Në takim u vlerësua bashkëpunimi mes Institutit për hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë dhe Qendrës Përkujtimore të Srebrenicës dhe memorandumi i bashkëpunimit që pritet të nënshkruhet”.

“Kryeministri theksoi përkushtimin e Qeverisë për procese gjithëpërfshirëse të drejtësisë tranzicionale, si dhe finalizimin e Strategjisë së parë të Republikës së Kosovës për Drejtësi Tranzicionale. U tha se për paqe në Ballkan, Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën e saj dhe të mbahet përgjegjëse për krimet, masakrat dhe gjenocidet e kryera, dhe që të sillen para drejtësisë përgjegjësit e krimeve të kryera gjatë luftës”, thuhet në njoftim.

Duke e falënderuar Kurtin për takimin, Suljagiq shprehu mirënjohje për mikpritjen e ngrohtë që po i bëhet në Kosovë si dhe ritheksoi potencialin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës. /Zëri