I mbijetuari i gjenocidit në Srebrenicë flet nga Prishtina: S’mund të ketë drejtësi për krime të nivelit të tillë
Për të mbijetuarin e masakrës në Srebrenicë, Emir Suljagiq, nuk mund të ketë drejtësi për krimet e nivelit që janë kryer në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë.
Suljagiqi, që tani është drejtor ekzekutiv i Qendrës Përkujtimore në Srebrenicë, tha se Rezoluta e OKB-së për gjenocidin në Srebrenicë paraqet vetëm një njohje politike e morale për një gjeneratë të tërë të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe një mirënjohje për punën e vuajtjet e nënave dhe familjeve atje.
“Por nuk do të thosha që është drejtësi. Në këtë botë nuk e hasim drejtësinë, nuk mund të ketë drejtësi për krimet e nivelit çfarë janë kryer në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë”, tha ai, i pyetur nëse është gjetur drejtësi për Srebrenicën.
Ai ishte pjesë e konferencës së hapjes së ekspozitës “Reporting House”, e cila prezanton punën e gazetarëve, fotografëve dhe artefakte të punonjësve të mediave, punë këto që vendosen krahas veprave të artit bashkëkohor që reflektojnë mbi ndikimin e luftës në dekadat që pasuan.
Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, atij iu dhurua “Çelësi i Kryeqytetit” nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka votuar më 23.05.2024, me 84 vota për, propozimrezolutën për gjenocidin në Srebrenicë.
Rezoluta, e cila propozon që 11 korriku të shpallet Ditë Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit të Srebrenicës, si dhe dënon mohimin e gjenocidit dhe madhërimin e kriminelëve të luftës, u sponsorizua nga tridhjetë vende.