Ish-gjenerali Wesley Clark: Ambiciet ruse pengojnë stabilitetin Kosovë - Serbi
Foto: Laura Hasani

Ish-gjenerali Wesley Clark: Ambiciet ruse pengojnë stabilitetin Kosovë - Serbi

Aktuale June 10, 2024 - 13:05

Gjenerali i pensionuar amerikan, Wesley Clark, thotë se mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të ketë stabilitet, derisa “Moska t’i tërheqë ambiciet e saj imperialiste nga rajoni”.

Clarku ka udhëhequr fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe në vitin 1999.

Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë 25 vjet pas përfundimit të sulmeve, ai thotë se “Serbia është si një magnet që i tërheq ambiciet imperialiste ruse në Evropë”.

“Serbia duhet ta kuptojë se e ardhmja e saj është me Perëndimin. Kur serbët ta kuptojnë këtë, nuk do të ketë probleme me Kosovën”, thotë Clarku.

Radio Evropa e Lirë: Gjeneral Clark, 25 vjet pas përfundimit të luftës, paqja mes Kosovës dhe Serbisë nuk duket premtuese. Pse, sipas jush?

Wesley Clark: Serbia nuk do paqe dhe Kosova nuk do pavarësi të nënshtruar.

Cila është rrugëdalja atëherë?

Wesley Clark: Rrugëdalje është mposhtja e Rusisë në Ukrainë. Rusia ta tërheqë mbështetjen për Serbinë dhe Serbia ta kuptojë se e ardhmja e saj është me Perëndimin. Kur serbët ta kuptojnë këtë, nuk do të ketë probleme me Kosovën.

Pse Rusia vazhdon të ndërhyjë në rajon?

Wesley Clark: Rusia ka ambicie imperialiste - të gjithë në Evropën Lindore e dinë këtë. Të gjithë që nuk janë Rusi, Moska i sheh si qenie më të vogla.

Serbia është si një magnet që i tërheq ambiciet imperialiste ruse në Evropë. Sot, ajo shërben si agjente infektuese në rajon - në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi dhe gjetkë.

Si mund t’i luftojë rajoni, por edhe aleatët perëndimorë këto përpjekje?

Wesley Clark: Ne i kemi vlerat tona në Perëndim. Ne nuk përfshihemi në të njëjtin lloj mashtrimi si Moska, apo në blerjen e njerëzve. Ne kalojmë nëpër procese demokratike. Ne i shohim interesat e njerëzve. Ata e dinë se çfarë përfaqëson Amerika dhe ata zgjedhin të jenë ose të mos jenë me Amerikën. Për mua nuk ka kuptim që disa parti politike në Evropën Lindore, të cilat kanë vuajtur për 40 vjet ose më shumë nën dominimin sovjetik, duan të bashkohen me Rusinë, në vend se me Bashkimin Evropian. Pse? Çfarë u ofron Rusia atyre përveç parave politikanëve? U ofron një investim të madh? Jo. Teknologji të re? Jo. Pjesëmarrje në një organizatë të madhe që do të avanconte mirëqenien e popullit? Jo. Asnjë prej tyre. Thjesht, një lojë që luhet pa mëshirë nga ambicia imperialiste ruse.

A mendoni se ekziston rreziku i një konflikti tjetër në Kosovë?

Wesley Clark: Mendoj se ka rrezik për dhunë. Vite më parë, kemi parë përpjekje për grushtshtet në Mal të Zi. Së voni, kemi parë sherr në kufi mes Serbisë dhe Kosovës, në të cilin [presidenti i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq ka mohuar se ka marrë pjesë. Por, dikush në Serbi ka marrë pjesë, sepse lëvizja e forcave ushtarake ka qenë e organizuar dhe e urdhëruar. Kështu që, kur shihni se si funksionojnë gjërat në këtë pjesë të botës, e kuptoni se ka një dorë të fshehur pas pjesës më të madhe të kësaj. Dhe ajo dorë vjen nga Moska.

A mendoni se mund të arrihet paqja me lidershipin aktual politik në Serbi?

Wesley Clark: Kjo varet nga ajo që kuptoni me paqe. Aktualisht nuk ka konflikt. Mund të thuhet se është një paqe e ftohtë. Por, derisa Moska t’i tërheqë ambiciet e saj imperialiste nga rajoni, nuk do të keni stabilitet dhe shanse që njerëzit të pajtohen dhe të ecin përpara.

Kosova, së voni, ka ndërmarrë disa hapa që janë kritikuar nga aleatët perëndimorë - të tillë si ndalimi i përdorimit të dinarit serb. A i ka rrezikuar Kosova marrëdhëniet me Perëndimin, sidomos SHBA-në?

Wesley Clark: Unë mendoj se vendet duhet të bëjnë atë që është në interesin e tyre. Kosova është një vend shumë i vogël dhe i brishtë. Mendoj se të vazhdohet t’i hapet rrugë ekstraterritorialitetit të Serbisë në veri të Ibrit, është jashtëzakonisht e dëmshme për të ardhmen e popullit në Kosovë. Andaj, [udhëheqësit kosovarë] kanë qenë të vendosur dhe e kanë kuptuar këtë. Shikoni, Ukraina nuk mund të bëjë gjithçka që duan amerikanët, sepse interesat e Amerikës janë ndryshe nga interesat e Ukrainës. Është e njëjta gjë në Izrael. Është e njëjta gjë në çdo vend. Çdo vend duhet të ndjekë interesin e tij në fillim, dhe më pas t’i mbledhë aleatët rreth tij.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe është një tjetër pikë e nxehtë. Perëndimi këmbëngul në themelimin e tij, Kosova refuzon. A mendoni se Asociacioni është kërcënim për Kosovën?

Wesley Clark: Unë kurrë nuk përfshihem në politikën e brendshme të vendeve... sepse kur nuk je qytetar, nuk jeton atje, nuk duhet të japësh komente. Ajo që dimë historikisht, është se komunitetet serbe kanë qenë të lidhura me Kishën Ortodokse, e kanë përdorur atë kishë si bastion dhe si pikë qendrore për rebelim, shtypje ose agresion. Unë mendoj se është më mirë për të gjithë në rajon nëse nuk e shtyjmë përpara Asociacionin, por në vend të tij punojmë që këto dy qeveri [të Kosovës dhe Serbisë] t’i normalizojnë marrëdhëniet diplomatike. Ka gjithmonë përzierje të grupeve etnike. Por, mënyra më e mirë për paqe është respektimi i kufijve kombëtarë.