D’Alema: Ballkanit i duhet fryma e Rugovës, liderët të mos bien në kurthet e nacionalizmit

D’Alema: Ballkanit i duhet fryma e Rugovës, liderët të mos bien në kurthet e nacionalizmit

Aktuale June 10, 2024 - 12:51

Në konferencën ndërkombëtare, e mbajtur për nder të 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit, protagonist kryesor ka qenë pikërisht ish-presidenti Ibrahim Rugova, ku është vënë theksi mbi rolin e rëndësishëm që ai ka luajtur në rrugën drejt lirisë.

Në fjalën e tij, Massimo D’Alema, ish-kryeministri italian, tha se Rugova ka qenë personifikim i një njeriu që kishte lidhje të forta me qytetarët e Kosovës, por edhe ndërkombëtarët. Sipas tij, në këtë të tashme të brishtë në Ballkan, liderët duhet të kenë frymën e Rugovës.

“Garancinë për të ardhmen e Kosovës, se ishte njeri i dialogut dhe bashkekzistencën kulturore dhe fetare në një tokë që ishte në vështirësi, një profet. Ka qenë e vështirë që çdo person tjetër të jetë i krahasueshëm me të, sa i përket lidhjes me popullin e Kosovës dhe me ndërkombëtarët. Pavarësia e Kosovës do të ishte faktor stabilizues në rajon, dua të vë theksin në këtë deklaratë, për fat të keq sëmundja e ka parandaluar Rugovën në hapat kyçë deri në Pavarësinë, kam një kujtesë të mirë për marrëveshjen për statutin e Kosovës, kam qenë në qeveri dhe ka qenë një mundësi e jashtëzakonshme. Më shumë se kurrë, Ballkani nevojitet ajo që duhet të quhet fryma e Rugovës, kapaciteti i liderëve që ngrihet mbi popullin e vetë pa rënë në kurthet e nacionalizmit”, tha ai.

Me superlativa foli edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku.

“25 vjet më parë ne gjetëm lirinë! Ajo na erdhi si triumf prej testamentit të përpjekjes së gjeneratave të tëra; erdhi si dritë e fundme e paqësorëve viteve ’90, besimi i të cilëve s‘reshti së pushuari kurrë; erdhi si altar përjetësie ku pushojnë djemtë e vajzat çlirimtare të Kosovës; erdhi si fitore e angazhimit monumental euroatlantik, që në qiellin sipër nesh na shfaqej nëpërmjet fluturakeve të NATO-s. Na vinin nëpërmjet zërave të Bill Clintonit, Tony Blairit, Javier Solanës, Wesley Clarkut, Madeline Albrightit, Jamie Sheas, Joshka Fisherit, Massimo D’Alemës, e përplot liderë e aktorë të tjerë botërorë, që në orët më të rënda tona u gjendën krah nesh. Prandaj jemi mirënjohës përherë. Prandaj u jemi falënderues gjithherë. Liria erdhi siç e kishim besuar të gjithë. Kjo konferencë sot duhet të na shërbejë jo vetëm si rikujtim falënderues, por si skicë dhe si projektim i së ardhmes që duhet ta projektojmë. Ibrahim Rugova është prijës i popullit të Kosovës”, tha ai.