Blair: Shumë gjëra pozitive po ndodhin në Kosovë, janë mësim për tërë botën
Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair, ka thënë se në Kosovë janë duke ndodhur shumë gjëra pozitive, të cilat, siç tha, janë mësim për tërë botën.
Në një konferencë për media të hënën, bashkë me presidenten e Kosovës Vjosa Osmanin, Blairi ka deklaruar se mezi pret të vijë dita kur Kosova të zërë vendin në familjen e Kombeve të Bashkuara.
“Atëherë isha i bindur se ishte gjëja e duhur për ta bërë dhe tani jam i bindur që duhet t'u rrimë krah njerëzve të Kosovës, në mënyrë që e ardhmja e Kosovës të jetë në linjë me meritat e njerëzve të saj. Këtu po ndodhin shumë gjëra pozitive, që janë mësim për tërë botën dhe pres me padurim që ta pres ditën kur Kosova zë vendin e duhur në familjen e kombeve. Dua edhe një herë të shpreh falënderimin dhe solidaritetin me njerëzit e Kosovës, që e kanë ndier atë kohë, e ndiejnë tani dhe do ta ndiejnë edhe në të ardhmen”, është shprehur Blairi.
Pas konferencës, ai do t’u drejtohet deputetëve të Kosovës në Parlament me një fjalim.