Kurti premton rritje të mbështetjes për Preshevën
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka uruar kandidaten për kryetare të Preshevës, Ardita Sinani, pasi kjo e fundit doli e para në zgjedhjet e së dielës, duke thënë se mbështetja për këtë komunë vetëm sa do të vijë duke u forcuar.
Kurti ka thënë se kryetarja e ardhshme Sinani do të ndërtojë një koalicion të fortë për një qeverisje të qëndrueshme në shërbim të qytetarëve.
“E urova për fitoren bindëse dhe e përgëzova për suksesin e arritur. Krahas punës që po vazhdon në njësinë zgjedhore në Leran të Preshevës, meqë aty do të ketë rivotim të enjten e javës që po vjen, Arditën tani e pret një punë tjetër e rëndësishme për ndërtimin e një koalicioni të fortë për një qeverisje të qëndrueshme e në shërbim të qytetarëve. Për këtë të fundit më njoftoi se tashmë ka filluar angazhimin e saj të plotë e të sinqertë”, ka shkruar Kurti në Facebook.
“Vëmendja dhe mbështetja për Preshevën që nuk ka munguar gjatë qeverisjes sonë, vetëm sa do të rritet e shtohet me bashkëpunimin e afërt që do ta kemi”, ka shtuar ai.