Inspektorati largon nga tregu disa mbushës telefoni
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, njofton se ka larguar nga tregu produkte elektrike (mbushës telefoni).
Inspektorët kanë marrë mostra për testim të produkteve elektrike (mbushës telefoni) të brendit “LDNIO” 45W PD/QC dhe testimi i produktit u krye si pjesë e një projekti rajonal.
“Produkti elektrik në fjalë u testua në një laborator të akredituar dhe rezultoi se nuk përputhej me kërkesat e standardit EN 62368-1:2014+A11:2017, të cilat janë esenciale për përputhshmërinë me Rregulloren teknike për pajisjet elektrike të dizajnuara për përdorim brenda kufijve të caktuar të tensionit”, njofton Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Mbi bazën e raportit të testimit, Inspektorët e Tregut kanë sekuestruar dhe larguar nga tregu i brendshëm produktin që është hasur te operatorët ekonomikë dhe që ka qenë i ekspozuar për shitje tek konsumatorët.
Për verifikim gjatë procesit të importit është njoftuar edhe Dogana e Kosovës.
Për çdo rast, qytetarët ftohen të raportojnë në:
• Tel: 0800 11000
• E-mail: [email protected]
“Të gjitha kërkesat dhe raportimet tuaja do të shqyrtohen me kujdes. Ju falënderojmë për bashkëpunimin tuaj”, njofton tutje Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.