Osmani thotë se s’iu prezantua ideja e dërgimit të draftit të Asociacionit në Komisionin e Venedikut
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të premten se nuk i është paraqitur formalisht ndonjë ide apo propozim që draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i propozuar nga Bashkimi Evropian, të dërgohet për vlerësim në Komisionin e Venedikut.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të mërkurën në një intervistë për A2CNN se emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, mund ta dërgojë draftin në Komisionin e Venedikut.
“Nuk e kam parë një ide të tillë të prezantuar formalisht. Kurdo që prezantohet tek Presidenca si kreu i shtetit dhe si udhëheqëse e politikës së jashtme, e shqyrtoj dhe pastaj ju njoftoj”, tha Osmani për media pas një vizite në Drenas.
E pyetur nëse do ta mbështeste një propozim të tillë, Osmani tha se “nëse e vlerësojmë se kjo e ndihmon Kosovën, nuk ka ndonjë arsye pse mos ta përkrahim”.
“Është me rëndësi që çdo propozim dhe çdo ide të analizohet vetëm në kontekst të interesave të Kosovës dhe qytetarëve të saj", shtoi ajo.
Draftin e BE-së, Kurti e ka cilësuar “non-paper”
Vitin e kaluar, Bashkimi Evropian, si ndërmjetës i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ua prezantoi palëve një draft-statut për Asociacionin, i cili u pranua në parim.
Në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga BE-ja, Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin: më 2013 dhe 2015.
Më 2015, Gjykata Kushtetuese tha se Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionin nuk ishte në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit. Harmonizimi, sipas Kushtetueses, mund të bëhet përmes akteve nënligjore.
“Shpronësimet në veri, në përputhje me ligjin”
Osmani e mbështeti vendimin e Qeverisë së Kosovës për finalizimin e shpronësimit të mbi 100 parcelave në komunat me shumicë serbe në veri të vendit, duke thënë se ato janë bërë në përputhje me ligjet.
“Përderisa shpronësimet janë në përputhje me ligjet e aplikueshme, Kushtetutën dhe pesë hapat që janë standardet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si presidente e Republikës e përkrah çdo veprim në interes të sigurisë nacionale dhe qytetarëve pa dallim”, tha Osmani.
Më 5 qershor, Radio Evropa e Lirë raportoi për vendimin përfundimtar të Qeverisë së Kosovës për shpronësimin e tokave në Leposaviq dhe Zubin Potok, i cili përjashton disa parcela private, por vetëm të atyre qytetarëve që e kanë fituar procesin në gjykatë.
Qeveria e Kosovës u kritikua të enjten për këto shpronësime nga ambasadat e QUINT-it në Prishtinë (SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës dhe Italisë), Zyra e BE-së Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë në Kosovë (OSBE).
Zyra e Kurtit i hodhi poshtë kritikat e tyre të enjten.
“Dje institucionet e Kosovës e kanë dhënë shpjegimin e duhur së si është bërë kjo procedurë, e cila është edhe në interes nacional për shkak të sigurisë së Kosovës”, tha Osmani të premten.
Qeveria e Kosovës ka filluar procesin e shpronësimit në komunën e Leposaviqit dhe atë të Zubin Potokut në mes të janarit të vitit 2023, kur disa toka atje i ka shpallur “pasuri të paluajtshme me interes të veçantë publik - të nevojshme për realizimin e projekteve infrastrukturore me interes publik”.
Bazuar në vendimin paraprak të Qeverisë, sipërfaqja e përgjithshme e shpronësimit të planifikuar atëkohë ka qenë rreth 104 hektarë në Leposaviq dhe rreth 33 hektarë në Zubin Potok. /REL