Deputetët kritikojnë Ministrinë e Arsimit për mosakreditim të Fakultetit të Bujqësisë

Deputetët kritikojnë Ministrinë e Arsimit për mosakreditim të Fakultetit të Bujqësisë

Aktuale June 07, 2024 - 15:39

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë shprehur shqetësime rreth mosakreditimit të Fakultetit të Bujqësisë dhe Fakultetit të Edukimit në Universitetin e Prizrenit.

Kryetari i Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim, Shemsedin Dreshaj, tha se nuk do t’i votojë projektligjet që ishin për shqyrtim në mbledhjen e së premten, pikërisht për shkak të mosakreditimit të Fakultetit të Bujqësisë.

“Kemi probleme me Fakultetin e Bujqësisë, Kosova nuk prodhon armë, por të mos lejohet akreditimi i Fakultetit të Bujqësisë për studentët, akreditimi është refuzuar për shkak të mungesës së hapësirës. Është përgjegjëse Ministria dhe Rektorati, jo dekani”, tha Dreshaj.

Ndërsa deputetja LVV-së, Arjeta Rexhepi, tha se akreditimi bëhet në bazë të ligjit dhe pastaj varet se a i kanë plotësuar kriteret ose jo.

“Është një temë që na njofton Ministria e Arsimit dhe shumë shpejt do t’i diskutojmë”, tha ajo.

Ndërsa deputeti nga komuniteti turk, Enis Kervan, u ankua për mosakreditimin e Fakultetit të Edukimit në Universitetin e Prizrenit, duke thënë se me gjasë nuk do të ketë program në gjuhën turke dhe boshnjake.

“Të vizitojmë Prizrenin dhe Universitetin të takohemi me përfaqësues të universitetit sepse Agjencia e Akreditimit nuk e ka aprovuar akreditimin e Fakultetit të Edukimit, kështu që me gjithë gjasat në gjuhën turke dhe boshnjake nuk do ketë më program në Prizren i cili është një minus për Kosovën për shumë etnicitete dhe në kuadër të Universitetit të Kosovës dhe Prizrenit mirë është që ne si Komision të shkojmë për vizitë atje dhe t’i dëgjojmë ata”, Enis Kervan.

Edhe deputeti Dreshaj, kërkoi të plotësohen kriteret për komunitetet.

“Nëse një institucion i ka plotësuar kriteret për 24 vjet pse nuk plotësohen kriteret tash, po ashtu edhe për komunitetet turke dhe boshnjake”, tha Dreshaj.

Ndërsa për këto çështje deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku, kërkoi të thirren për diskutim Ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci dhe përfaqësues nga Agjencia e Akreditimit.

“Nëse akreditohet në gjuhën shqipe, pse jo në gjuhën turke. Nëse akreditohet në bachelor, pse jo në master, sa më shpejt më thirr ministren e Arsimit veçmas me Agjencinë e Akreditimit në takim”, tha Bunjaku.

Megjithatë, Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim të premten miratoi Projektligjin për noterinë dhe atë për Këshillin Prokurorial. /EO