Sistemi prokurorial kërkon që Kosova të bëhet vëzhguese e përhershme në EUROJUST

Sistemi prokurorial kërkon që Kosova të bëhet vëzhguese e përhershme në EUROJUST

Aktuale June 07, 2024 - 15:29

Përfaqësuesit e sistemit prokurorial të Kosovës kanë kërkuar që Kosova të jetë vëzhguese e përhershme në agjencinë e bashkimit evropian për bashkëpunim në drejtësinë penale EUROJUST.

Kjo gjatë një takimi ndërmjet presidentit të EUROJUST-it, Ladislav Hamran me u.d. e kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj dhe prokuroren e PSRK-së, Ilirjana Çollaku-Tafa.

“Temë qendrore e takimit ndërmjet përfaqësuesve të institucionit të Prokurorit të Shtetit me presidentin Hamran ishte avancimi i bashkëpunimit dypalësh, konkretisht nevoja e pranisë së Kosovës si vëzhguese e përhershme në EUROJUST, që u vlerësua si hap esencial për forcimin e bashkëpunimit të ndërsjellë”, thuhet në komunikatën e sistemit prokurorial.

Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka theksuar vendosmërinë e luftimit të të gjitha formave të krimit, me ç’rast ka shprehur gatishmërinë që ky bashkëpunim të thellohet në të ardhmen.

“Ndërkaq, kreprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka folur për veprimet që PSRK-ja i ka ndërmarrë në intensifikimin dhe avancimin e bashkëpunimit me EUROJUST-in, si dhe ka potencuar se PSRK-ja do t’u përgjigjet në kohë dhe në mënyrë efektive të gjitha kërkesave dhe obligimeve që adresohen nga EUROJUST-i”, vazhdon komunikata.