Osmani për shpronësimet në veri: Në përputhje me ligjet, Kushtetutën dhe standardet e Gjykatës Evropiane
Presidentja Vjosa Osmani u është përgjigjur shteteve të QUINT-it, të cilat shprehen shqetësimin e tyre rreth shpronësimeve në veri, duke thënë se Qeveria nuk po e zbaton ligjin.
Ajo tha se këto shpronësime janë në përputhje me ligjet, Kushtetutën dhe standardet e Gjykatës Evropiane, e përkrah çdo veprim që është në interes të sigurisë nacionale dhe të qytetarëve të Kosovës, pa dallim.
“Çështja e shpronësimeve çdo qytetar i Republikës së Kosovës pavarësisht etnisë duhet të analizohet vetëm në kontekst të përputhshmërisë me ligjin e aplikueshëm në Kosovë dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Çështja e shpronësimeve ka rregulla të caktuara dhe këto rregulla jo vetëm që përcaktohen me ligje tona, por edhe me standardet evropiane të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për aq sa respektohen këto standarde është një test pesëhapësh i paraparë nga vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përderisa respektohet ky standard dhe pesë hapat janë aplikuar, kjo tregon se janë zbatuar edhe ligji ynë, edhe kërkesat tona kushtetuese, edhe standardet evropiane të drejtave të njeriut dhe shpronësimet vazhdojnë në përputhje me ligjin, pa asnjë tendencë për diskriminim të askujt. Dje institucionet e Kosovës e kanë dhënë shpjegimin e duhur së si është bërë kjo procedurë, e cila është edhe në interes nacional për shkak të sigurisë së Kosovës”, tha Osmani.
Ajo shtoi se është jashtëzakonisht e rëndësishme për të gjithë varësisht ku jetojmë që veriu i Kosovës të mbrohet nga sulmet. /EO