Dialogu në Bruksel, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë: I stërzgjatur, BE-ja të zhvillojë dialog të drejtë e që respekton pavarësinë e Kosovës

Dialogu në Bruksel, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë: I stërzgjatur, BE-ja të zhvillojë dialog të drejtë e që respekton pavarësinë e Kosovës

Aktuale June 07, 2024 - 08:08

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë thekson se Bashkimi Evropian duhet të fokusohet në lehtësimin e një dialogu të drejtë e që respekton pavarësinë e Kosovës, ndërsa bën thirrje që të caktohet negociatori nga rangu i diplomatëve/politikanëve të mirëpritur dhe të pranuar nga të dyja vendet, në mënyrë që të rritet niveli i besueshmërisë te të gjitha palët.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) thekson ka ndjekur me shumë interes dhe shqetësim negociatat e stërzgjatura ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe dëshiron të shohë një marrëveshje përfundimtare sa më shpejt të jetë e mundur.

“Këshilli i Ambasadorëve qëndron kundër presionit ndaj Kosovës që të pajtohet me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe beson se një presion i tillë minon sovranitetin e Kosovës dhe inkurajon qëndrimin e Serbisë për mosnjohje. Zgjidhjet e imponuara mund të destabilizojnë rajonin”, thuhet tutje në reagim.

KASH-i thekson se kontributi dhe roli i pazëvendësueshëm i BE-së duhet të fokusohet në lehtësimin e një dialogu të drejtë që respekton pavarësinë e Kosovës.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i bën thirrje BE-së po ashtu që për dialogun Kosovë-Serbi të caktojë negociator nga rangu i diplomatëve/politikanëve të mirëpritur dhe të pranuar nga të dyja vendet, në mënyrë që të rritet niveli i besueshmërisë te të gjitha palët.

KASH-i kërkon gjithashtu që sjelljet e Serbisë si përfaqësuese ruse dhe retorika e liderit të Republika “Srpska”, Milorad Dodik, për ndarjen nga Bosnjë dhe Hercegovina të ndalet me çdo kusht përpara se të jetë tepër vonë.

“Ne e konsiderojmë këtë si një instrument lufte, si një qasje që shkon në të njëjtën linjë/logjikë me agresionin rus kundër Ukrainës”, thuhet tutje në reagimin e Këshillit të Ambasadorëve.