Kosova dhe Turqia arrijnë marrëveshje në parim për pensione
Ministria e Financave ka bërë të ditur se në tri ditët e fundit, janë mbajtur negociatat midis Kosovës dhe Turqisë për sigurime shoqërore midis dy vendeve.
Delegacion nga Kosova, i kryesuar nga zëvendësministri i Financave, Avni Zogiani dhe delegacioni turk, i kryesuar nga zëvendësministri për Punë dhe Sigurime Shoqërore, Adnan Ertem, kanë përcaktuar pikat kryesore për finalizimin e marrëveshjes për sigurimet shoqërore mes dy vendeve.
“Kjo marrëveshje do t’u sigurojë qytetarëve të Kosovës dhe Turqisë të drejtën për pensione bazike, kontributpaguese, familjare dhe invalidore të punës në vendin ku ata jetojnë. Përveç kësaj, marrëveshja parashikon edhe të drejtën për eksportimin e pensioneve për qytetarët që jetojnë në të dyja vendet”.
Më tej, bëhet e ditur se takimet dypalëshe u finalizuan me nënshkrimin e marrëveshjes në parim, duke shënuar përfundimin e fazës së parë të negociatave.
“Ndërsa, në muajt në vijim pritet që në Turqi të zhvillohet edhe faza e dytë e negociatave”, thuhet në njoftim.