Ish-komandanti i FSK-së: Situata në veri është e brishtë, Serbia po i stërvit qytetarët e veriut nëpër baza të ushtrisë
Foto: Laura Hasani

Ish-komandanti i FSK-së: Situata në veri është e brishtë, Serbia po i stërvit qytetarët e veriut nëpër baza të ushtrisë

Aktuale June 06, 2024 - 20:02

Ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati ka vlerësuar se situata e sigurisë në veri të vendit është e brishtë.

Kastrati ka thënë se Serbia po i stërvit qytetarët serbë të veriut përtej kufirit në bazat stërvitore të ushtrisë dhe policisë serbe.

“Situata sipërfaqësisht është e qetë por unë mendoj që situata është e brishtë sepse Serbia nëpërmjet grupeve terroriste edhe pse kanë dështuar më 24 shtator të vitit të kaluar, ata po i stërvitin qytetarët serbë të veriut përtej kufirit në bazat stërvitore të ushtrisë dhe policisë serbe. Serbia po lëviz apo manovruar me ato brigadat e veta në territor të Kosovës. Çdo lëvizje e forcave serbe në një mënyrë apo tjetër deklarojnë që kinse ata po lëvizin, ata lëvizin në territorin e vet, ne nuk i frikësohemi asnjëherë forcave militare dhe policore serbe qoftë lëvizjes së tyre në territorin e vet, qoftë nëse ia mësyjnë Kosovës, ne jemi të gatshëm që të kryejmë detyrat tona… Serbia asnjëherë nuk e ka atë guxim që t’ia japë vetit atë komoditet që t’ia mësyjë Kosovës…”, tha ai në Dukagjini.

“Kam informacione të sakta që presidenti Putin ka thënë disa herë presidentit Vuçiq mos u ngutuni, nuk është momenti, të presim si është situata në Ukrainë dhe nëse atje Rusia nëse ia arrin një fitore atëherë Rusia do të ishte e interesuar që Ballkanin Perëndimor mos ta lë të hapur në njërën anë…”, tha ai.