Tefik Mustafa vizitohet në burg nga shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi
Tefik Mustafa, i cili është arrestuar ditë më parë nga policia e Serbisë në pikën kufitare në Merdare, është vizituar dje nga shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari.
Kjo u konfirmua për Klankosova.tv nga Leutrim Sahiti, këshilltar për media i ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz.
“Ambasadori Jashari është takuar edhe me avokatin mbrojtës të z. Mustafa, me të cilin ka biseduar lidhur me aspektet ligjore të rastit dhe është në komunikim të vazhdueshëm edhe me familjarët e z. Mustafa”, tha Sahiti.
“Më datën 3 qershor 2024, ai ka dalur dy herë (hera e parë në ora 10:00 dhe hera e dytë në ora 17:00) para gjykatësit të procedurës paraprake të Gjykatës së Lartë për Krime të Luftës në Beograd, me ç’rast i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve”, theksoi ai për Klankosova.tv
Ai shtoi se MPJD përmes Ambasadës së Republikës së Kosovës në Otava, ka njoftuar Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kanadasë, e cila është sponsorizuese e iniciatives kanadeze që ndalon veprimet e tilla arbitrare të shkaktuara nga shtetet e ndryshme për qytetarët e vendeve tjera, pjesë e së cilës është edhe Republika e Kosovës.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka dënuar ashpër ndalimin, arrestimin dhe keqtrajtimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht i ka bërë thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare që të ndërmarrë hapa konkret për lirimin e menjëhershëm të tyre dhe njëkohësisht të kërkojë përgjegjësi nga shteti serb për këto veprime arbitrare dhe destruktive dhe që bien ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”,shtoi këshilltari për media në MPJD Leutrim Sahiti.
Tefik Mustafa u arrestua më 1 qershor nga autoritetet serbe, nën akuzat për gjoja krime lufte kundër popullsisë jo-shqiptare gjatë luftës në Kosovë më 1999.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka ftuar të gjithë qytetarët që mund të ballafaqohen me vështirësi të natyrave të ndryshme gjatë udhëtimit të tyre nëpër Serbi, që të na kontaktojnë në numrin e telefonit: +383 46 51 00 51.