Çka thuhet në kërkesën e partisë katalunase për njohjen e Kosovës nga Spanja

Çka thuhet në kërkesën e partisë katalunase për njohjen e Kosovës nga Spanja

Aktuale June 06, 2024 - 17:29

Partia katalunase “Junts” ka paraqitur një propozim jo legjislativ në Kongresin e Deputetëve, përmes së cilës dëshiron që t’i bëhet kërkesë Qeverisë spanjolle që ta njohë Kosovën “si një shtet sovran”.

Në tekstin, të cilin e ka parë “Europa Press”, grupi parlamentar i kryesuar nga Miriam Nogueras thotë se Kosova është “shtet i së drejtës dhe demokracisë me përafërsisht 1.7 milion banorë” që njihet si shtet i pavarur nga 104 vende, duke përfshirë 22 anëtarë të BE-së.

Ndonëse Kosovën nuk e kanë njohur pesë shtete anëtare të BE-së (Spanja, Rumania, Sllovakia, Qiproja dhe Greqia), me argumentin se shpallja e pavarësisë ishte një “akt i njëanshëm” që nuk kishte miratimin e Beogradit, “Junts” kujton se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GjND) vendosi në korrik 2010 se “shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare” dhe se nuk ka asnjë rregull që e pengon atë të vazhdojë tutje.

“Refuzimi i Spanjës për të njohur një shtet që përdori të drejtën e tij legjitime për vetëvendosje është një pengesë për politikën evropiane të përfshirjes së Ballkanit Perëndimor në BE dhe ky është një faktor në destabilizimin e zonës në një kontekst të shënuar nga lufta në Ukrainë që kjo pjesë e Evropës po e përjeton me ankth të veçantë”, thekson “Junts” në deklaratën shpjeguese.

“Spanja tashmë ka marrëdhënie indirekte me Kosovën”, kujtojnë anëtarët e partisë së Carles Puigdemont, të cilët gjithashtu theksojnë se që nga janari, qeveria spanjolle është detyruar të njohë pasaportat kosovare pasi Kosova “i është bashkuar regjimit të heqjes së vizave për qëndrim të shkurtër në zonën Schengen”.

Siç transmeton Klan Kosova, ata gjithashtu konsiderojnë se “nuk është e pranueshme që shteti spanjoll ndan të njëjtën strategji të Rusisë, Kinës apo Bjellorusisë për refuzimin e njohjes së Kosovës”.

Për të gjitha këto arsye, “Junts” konsideron se “në mbështetje të përpjekjeve që po bëhen nga institucionet dhe populli i Kosovës në mbrojtje të së drejtës së tyre për të ekzistuar si shtet i pavarur, shteti spanjoll duhet të heqë dorë nga refuzimi i tij dhe duhet të vazhdojë me njohjen e menjëhershme të Republikës së Kosovës”.

Teksti i paraqitur thjesht propozon që Kongresi të nxisë “Qeverinë ta njohë Republikën e Kosovës si shtet sovran”.

Më 28 maj, Spanja, bashkë me Norvegjinë dhe Irlandën, vendosën të njohin shtetin palestinez.

Kjo riktheu në vëmendje çështjen që Spanja ta bëjë të njëjtën gjë edhe me Kosovën.

Mirëpo, në një përgjigje të MPJ-së spanjolle për mediat vendore, në atë kohë u tha se “situata e Kosovës ndryshon krejtësisht me atë të shtetit palestinez”.

Ministria e Jashtme spanjolle, përmes këshilltares për media Elena Aljarilla Cortezon, deklaroi për Radio Evropa e Lirë, se Spanja nuk ka ndryshuar qëndrim për shtetësinë e Kosovës, duke mbetur kështu një nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Kosovën.