Përfundon dëshminë Nuhi Bytyçi në rastin “Thaçi dhe të tjerët”
Gazetari Nuhi Bytyçi ka përfunduar dëshminë e tij në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët po akuzohen për krime lufte nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë.
Gjatë fundit të dëshmisë së tij, dëshmitari u përgjigj në pyetjet shtesë të prokurorit Matt Halling, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ai tha se gjatë luftës ishte takuar edhe me Fehmi Lladrovcin në Abri të Drenasit në fund të prillit ose në fillim të majit të vitit 1998.
Por, në librin e tij dëshmitari e kishte përshkruar këtë takim në të cilin Lladrovci i kishte thënë të dakordohet me Shtabin e Përgjithshëm se pa lejen e njerëzve kompetent ai nuk mund të jepte intervistë.
Bytyçi sërish insistoi që ai e kishte bërë një punë objektive gjatë kohës së luftës, por e kishte edhe qëllim që UÇK-në ta paraqiste si ushtri të fuqishme dhe serioze, pasi sipas tij ajo ishte ushtri e cila nuk bënte krime ndaj popullatës civile serbe.
Në përfundim të dëshmisë së tij, dëshmitari falënderoi gjykatën për mundësinë që të dëshmojë aty, por duke kërkuar që libri i tij të mos merret si bazë që të dënohen ish-krerët e UÇK-së.
Si rrjedhojë, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, i kërkoi për të disatën herë që dëshmitari të dalë nga salla dhe më pas i tha që do t’i thotë edhe sigurimit për ta bërë një gjë të tillë.
“Në qoftë se nuk do të dalësh tani nga salla, do t’i them sigurimit që t’ju nxjerrë nga salla”, tha ai.