Francezët e Speciales, shkon Guillou e vjen Masseloti
Gjykatësja franceze, Marjorie Masselot, do ta zëvendësojë bashkëkombasin e saj Nicolas Guillou në Gjykatën Speciale.
Ky i fundit u largua nga kjo pozitë pas zgjedhjes si gjykatës në Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe marrjes së detyrave atje.
“Më 6 qershor 2024, Autoriteti Emërues, gjeneralmajor Xhovani Pietro Barbano (Giovanni Pietro Barbano) emëroi gjykatësen Marjorie Masselot (Francë) në Regjistrin e Gjykatësve Ndërkombëtarë (Regjistri) në përputhje me nenin 28(4) të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Më të njëjtën ditë, gjykatësja Masselot bëri betimin solemn”.
“Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), gjykatësja Ekaterina Trendafilova, e uroi përzemërsisht gjykatësen Masselot dhe deklaroi se pret me kënaqësi bashkëpunimin me të në DHSK. Biografia e gjykatëses Masselot gjendet në faqen e internetit në DHSK”.
“Emërimi i gjykatëses Masselot pason dorëheqjen nga Regjistri i Gjykatësve Ndërkombëtarë të gjykatësit Nikola Giju, i cili është zgjedhur gjykatës në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, thuhet në një njoftim të kësaj gjykate.
Guillou shërbeu si gjyqtar i procedurës paraprake në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë në rastin ku po gjykohen ish-krerët e UÇK-së.
Ndërkaq, pasardhësja e tij si gjyqtare e Speciales, që nga viti 2019, ishte kryegjykatëse në Gjykatën Penale të shkallës së parë në Kolmar (Colmar) ku merret me krimin e organizuar dhe krimet seksuale.
Që prej vitit 2023, gjykatësja Masselot është emëruar në Ministrinë e Drejtësisë së Francës si zëvendësshefe e Zyrës për Çështje Diplomatike dhe Institucionale në Delegacionin për Çështje Institucionale dhe Diplomatike.
“Nga 2017 deri 2019, gjykatësja Masselot ishte prokurore në Gjykatën Penale në Verdun. Më herët, gjykatësja Masselot ka shërbyer në poste të ndryshme si juriste në Dhomën për Krime Lufte të Gjykatës Shtetërore të Bosnjë-Hercegovinës nga 2006 deri më 2008, në Tribunalin Penal të Kombeve të Bashkuara për Ruandën nga 2008 deri më 2009 dhe në Gjykatën Penale Ndërkombëtare nga 2009 deri më 2015”, theksohet në njoftimin e kësaj gjykate me bazë në Hagë.