EULEX-i thotë se “s’u kontaktua nga MPJD-ja për rastet e arrestimeve nga Serbia”
Foto: Zëri

EULEX-i thotë se “s’u kontaktua nga MPJD-ja për rastet e arrestimeve nga Serbia”

Aktuale June 06, 2024 - 10:18

Misioni i BE-së për sundimin e ligjit, EULEX, tha se nuk ka asnjë angazhim të drejtpërdrejtë në asnjë nga rastet e arrestimeve të shtetasve të Kosovës nga Serbia.

Në një përgjigje me shkrim për RTV21, Zyra për Informim e EULEX-it tha se nuk është i përfshirë as edhe në rastin e fundit të arrestimit të Tefik Mustafës. Ky i fundit u arrestua nga autoritetet serbe më 1 qershor në vendkalimin kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në Merdar, me akuzat se është i përfshirë, siç thuhet, në krime lufte si ish-pjesëtar i UÇK-së.

Autoritetet serbe vendosën masën e paraburgimit prej 1 muaji për Tefik Mustafën, ndërkohë që zëvendës kryeministri serb Daçiq e ndërlidhi emrin e tij me, siç tha, dëshmitë e disa dëshmitarëve që e akuzuan për, siç thuhet, rrëmbim të tre zyrtarëve policorë gjatë vitit 1999.

Arrestimi i Mustafës u dënua nga MPJD-ja e Kosovës, e cila u bëri thirrje vendeve anëtare të QUINT-it (SHBA, Britani e Madhe, Itali, Francë dhe Gjermani) për ndërmarrjen e hapave të menjëhershëm për lirimin e tij. MPJ-ja kërkoi edhe përgjegjësi nga shteti serb për veprimet, siç i quajti arbitrare.

Por, misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit, EULEX, tha se autoritetet e Kosovës nuk i kanë kontaktuar për të kërkuar ndihmën, veçanërisht në rastin e fundit të arrestimit të Tefik Mustafës.

Departamenti Amerikan i Shtetit tha në një deklaratë të tij për radion Evropa e Lirë se është në dijeni për arrestimin e shtetasit të Kosovës, Tefik Mustafa, ditë më parë.

Por DASH-i i kërkoi Serbisë të zhvillojë proces transparent në rastin e Mustafës “ashtu sikurse me çdo arrestim tjetër, në përputhje me sundim të ligjit”.

Katër shqiptarë të Kosovës aktualisht gjenden në paraburgim në Serbi nën akuzat se kanë kryer krime lufte. Përveç Mustafës që u arrestua ditë më parë, më 17 prill autoritetet serbe arrestuan një tjetër kosovar, Sadik Durakun, me akuzat e njëjta si në rastin e Mustafës, kurse në janar u arrestua Hasan Dakaj ish-pjesëtar i UÇK-së. Në janar të vitit 2020, autoritetet serbe arrestuan Nezir Mehmetajn dhe që nga ajo kohë ai mbahet në paraburgim.