Rrahmani: Kusari-Lila s’më përfaqëson mua politikisht, as ideologjikisht
Foto: Laura Hasani

Rrahmani: Kusari-Lila s’më përfaqëson mua politikisht, as ideologjikisht

Aktuale June 06, 2024 - 08:12

Deputeti i LVV-së, Eman Rrahmani duke komentuar publikimin e bisedës së shefes së grupit parlamentar të partisë së tij, Mimoza Kusari-Lila me të sanksionuarin e SHBA-së, Millan Radoiçiq, ka thënë se ajo nuk e përfaqëson politikisht as ideologjikisht.

Madje Rrahmani ka deklaruar se me Kusari-Lilën ka dallime edhe më të mëdha se me Vetëvendosjen.

“Zonja Kusari nuk më përfaqëson mua si deputet. Ajo është shefe e një grupi parlamentar, e cila është propozuar prej kryetarit. Ka marrë votën e shumicës të deputetëve dhe si vendim i tillë është respektuar prej meje. Në aspektin ideologjik e praktik unë dallimet shumë më të mëdha sesa me Vetëvendosjen i kam me Mimozën, në shumicën e çështjeve. Mimoza Kusari nuk më përfaqëson as politikisht, as ideologjikisht mua”, është shprehur ai në tëvë1.

Ndërsa profesori, Dritëro Arifi duke e quajtur Kusari-Lilën problem periferik, ka thënë se problemi kyç qëndron te Kryesia e VV-së, që s’merr masa ndaj saj.

“Për fat të keq zonja Kusari nuk është problemi kryesor, është problem periferik, por problemi kryesor po qëndrojka te Kryesia e Vetëvendosjes që nuk po marrin masa ndaj këtyre çështjeve”, ka vlerësuar ai.