Bytyçi: Thaçi dhe Krasniqi pjesëmarrës në diskutimet për demilitarizimin e UÇK-së, për Veselin s’e di saktë
Dëshmitari Nuhi Bytyçi tha se Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi kanë marrë pjesë në diskutimet për demilitarizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në qershor të vitit 1999, kurse për Kadri Veselin tha se nuk e di saktë.
Këtë deklarim Bytyçi e bëri duke u përgjigjur në pyetjet e fundit të prokurorit Matt Halling, i cili e pyeti nëse e dinte a ka qenë Veseli në ato bisedime.
“Unë nuk e di saktësisht se a ka marrë pjesë konkretisht zotëri Veseli në diskutimet për demilitarizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por e di se zotëri Thaçi dhe zotëri Kransiqi kanë marrë pjesë dhe i kanë harmonizu qëndrimet bashkë me ish-zëvendëskryetarin Amerikan të Shtetit, Xhejms Rubin në Fshati i Ri dhe Divjakë. Pastaj, marrëveshja është nënshkruar më 21 qershor 1999 në bazën e KFOR-it në Prishtinë në mes Thaçit dhe gjeneralit të KFOR-it, Mike Jackson”, tha dëshmitari.
Më pas, dëshmitarit iu prezantua një fotografi e bërë më 17 qershor 1999, në të cilën ai identifikoi Kadri Veselin, një anëtar i misionit vëzhgues amerikan dhe Shefin e Shërbimit Informativ Shqiptar, Fatos Klosin.
Me kaq përfunduan pyetjet e prokurorit Halling për dëshmitarin Bytyçi, për të vazhduar më pas me avokatin e Thaçit, Luka Mishetiq.