LDK-ja nënshkruan koalicionin e parë parazgjedhor
Lidhja Demokratike e Kosovës sot nënshkroi marrëveshje parazgjedhore me Partinë Shqiptare Demokristiane të Kosovës (PSHDK) për garën e përbashkët në një listë zgjedhore, në listën e LDK-së, në zgjedhjet e ardhshme nacionale.
Kështu bëri të ditur kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në një postim në Facebook.
“Ky bashkëpunim është rikthim në traditën e ndershme dhe të shëndoshë që nëpër dekada kemi pasur, që nga koha e presidentit Rugova dhe profesor Mark Krasniqit. Përbashkimi i së djathtës brenda listës së LDK-së, me programin e LDK-së dhe me bindjet tona ideologjike që definojnë vetë të ardhmen euroatlantike, është domosdoshmëri kombëtare. LDK-ja do të vazhdojë angazhimin në përbashkimin e së djathtës me partnerë të tjerë gjatë ditëve, javëve e muajve të ardhshëm”, shkruan Abdixhiku.