Peci: Serbët që punojnë në komunën e Zveçanit kanë frikë nga Lista Serbe
Serbët që jetojnë në komunat veriore kanë frikë të punojnë në institucionin publik me kryetarët shqiptarë nga hakmarrja e Listës Serbe.
Edhe ata që aktualisht janë në marrëdhënie pune në Komunën e Zveçanit kujdesen të mos shfaqen në kamera, ndërsa rrugën për në punë e bëjnë me taksi, në mënyrë që të mos identifikohen me veturat e tyre.
Kështu u shpreh për A2CNN kryetari i Zveçanit, Ilir Peci.
“Unë i shoh edhe këta zyrtarë që janë këtu në Komunë duke punuar kanë një frikë të madhe nga Lista Serbe. Udhëtojnë, sidomos një pjesë që është më afër në këmbë e të tjerët me taksi, e nuk guxojnë të vijnë me makinë të tyre që të shihen makinat e tyre para Komunës se vetë kanë treguar se mund t’u djegin nga ai grup, ka frikë, me të vërtetë kanë frikë këta prej Listës Serbe”, tha Peci.
Kur kanë kaluar një vit që kur u ndryshuan pushtetet, në Komunën e Zveçanit ende ka mungesë të zyrtarëve komunalë, megjithatë ata që janë duhet të kryejnë disa punë.
“Na jemi shumë pak me zyrtarë, kemi mungesë shumë të madhe të zyrtarëve, mirëpo sa për t’i plotësuar kërkesat e qytetarëve mjaftojnë”.
Pas dështimit të referendumit për largimin e kryetarëve shqiptarë, kryetari i Zveçanit thotë se edhe qytetarët serbë kanë filluar t’i besojnë më shumë dhe tani ka deri në 80 kërkesa takime në ditë.
“Në momentin kur shteti iu dha mundësinë për shkarkimin apo mos shkarkimin tonë si kryetar komune, nga ai moment është në përmirësim, çdo ditë, kemi takime me qytetarë serbë që i takojnë komunës së Zveçanit, është shumë më ndryshe sesa vitin e kaluar”.
Kryetarët shqiptarë në komunat veriore u zgjodhën në prill të vitit 2023, ndërsa u konfirmuan në detyrë dy muaj më parë pas dështimit për largimin e tyre përmes peticionit.