Njohësit e sigurisë e vlerësojnë pozitivisht prezencën e shtuar të KFOR-it në veri
Foto: Laura Hasani

Njohësit e sigurisë e vlerësojnë pozitivisht prezencën e shtuar të KFOR-it në veri

Aktuale June 05, 2024 - 08:58

Aleanca më e madhe ushtarake, misioni NATO, ka thënë se janë të gatshëm, të përgatitur dhe pajisur për të reaguar në mënyrë të shpejtë për të parandaluar çdo mundësi të përshkallëzimit të situatës në katër komunat veriore.

Prezenca e tyre tashmë duket e shtuar. Kjo erdhi pas ngritjes së tensioneve në komunën e Zveçanit, më 26 dhe 29 maj të vitit të kaluar nga protestuesit serbë, të cilët sulmuan pjesëtarët e KFOR-it, ku mbetën të lënduar mbi 90 ushtarakë.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, është rritur edhe në aspektin e pjesëtarëve, por edhe pajisjeve ushtarake.

Në një përgjigje për Tëvë1, NATO-ja ka thënë se së fundi janë shtuar edhe 100 ushtarakë.

“Pas ngjarjeve të papranueshme të dhunshme në maj dhe shtator 2023, NATO-ja ka përforcuar misionin e KFOR-it, duke vendosur deri në 1000 trupa shtesë në Kosovë. Ky përforcim – më i madhi në misionin tonë në një dekadë – ka dëshmuar se ne jemi në gjendje të përshtatemi me shpejtësi dhe në mënyrë efektive me çdo zhvillim të rëndësishëm të sigurisë”, thonë nga NATO-ja.

Aleanca ushtarake ka shtuar edhe patrullimet përgjatë vijës kufitare me Serbinë, duke trefishuar kontrollin.

“Falë vendosjes së trupave shtesë, ne kemi rritur aktivitetet tona në veri të Kosovës dhe kemi trefishuar patrullimet tona, duke përfshirë edhe përgjatë vijës kufitare administrative. KFOR-i është një mision i bazuar në kushte. Nuk ka një datë mbarimi. Në rast të rritjes së tensioneve, ne jemi të përgatitur dhe të pajisur për të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të vazhduar përmbushjen e mandatit tonë të OKB-së. Dislokimi shtesë i mundëson KFOR-it të vazhdojë të përmbushë mandatin e tij të OKB-së në mënyrë efektive”, thonë po ashtu nga NATO-ja.

E njohësit e sigurisë e vlerësojnë pozitivisht prezencën e KFOR-it në katër komunat veriore.

Profesori i kriminalistikes, Fatmir Çollaku, thotë se rritja e trupave në Kosovë tregon seriozitetin për parandalimin e konflikteve.

“Kjo tregon një përkushtim dhe rikonfirmim të gatishmërisë maksimale komfort mandatit që KFOR-i në Kosovë, për të përcjellë vëzhguar, monitoruar mirë kufijtë në kuptimin e parandalimit të ndonjë hyrje të ndonjë grupi të dyshuar ose kriminal ose terrorist. Dhe thjeshtë reflekton pozitivisht si një gatishmëri e shtuar e KFOR-it për të përmbushur misionin e vet që ka, ruajtja e Kosovës në aspektin e Sigurisë në aspektin nacional në zmbrapsjen e agresorëve”, ka thënë Çollaku.

Ndërsa sipas njohësit të Sigurisë, Arben Dashevci, kjo tregon se Kosova është afër anëtarësimit në NATO.

“Situata është e tillë, jemi në vitin 2024, i përcjellim lajmet gjithmonë se çfarë ndodh me Ukrainën dhe NATO-ja i shton këtu prezencat e saj, në të gjitha hapësirat ku ka hapësirë NATO, ose vendet e NATO-s ose vendet që prosperojnë në NATO. Kurse fakti ynë është që nuk jemi më vëzhgues por jemi anëtar i asociuar dhe NATO është këtu për kujdesin e gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, është shprehur Dashevci.

Javë më parë komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutas ka takuat komandantin e ushtrisë serbe për të diskutuar rreth situatës së sigurisë në brezin kufitar.