Kosova, një vit nën masa të BE-së
Foto: Laura Hasani

Kosova, një vit nën masa të BE-së

Aktuale June 05, 2024 - 08:46

Kosova vazhdon të jetë në pritje të raportit të përfaqësuesit të lartë të BE-së Josef Borrell dhe të qartësohet përfundimisht se a do t’i hiqen a jo masat ndëshkuese. Edhe më tej nuk dihet se kur do të publikohet ky raport. Por dihet se BE-ja ka bërë të qartë se në raport do të përfshihet edhe aksioni i palës kosovare për mbylljen e filialeve të Bankës Postare të Serbisë në veri të Kosovës.

Deputeti i partisë në pushtet Lëvizjes Vetëvendosje Armend Muja thotë masat e vendosura padrejtësisht ndaj Kosovës duhet të hiqen.

“Kosova u përball me dy masa një nga BE-ja, tjetra nga opozita me bllokimin e marrëveshjeve ndërkombëtare pra i kishim dy masa tash marrëveshjet ndërkombëtare u zhbllokuan kanë mbetur masat e BE-së, të cilat duhen hequr sepse janë të vendosura padrejtësisht”, Muja për RTV21.

Në anën tjetër, deputeti i PDK-së opozitare, Ferat Shala, e fajësoi kryeministrin Kurti për masat ndëshkuese ndaj Kosovës. Sipas tij, keqqeverisja e tij i ka sjellë vendit humbje qindramilionëshe.

“Humbjet janë kryesisht nëpër komuna, kemi humbur shumë pasi që me ato mjete do të mirëmbaheshin lumenjtë, do të ndërtoheshin shkolla e shumë e shumë projekte të tjera infrastrukturore”, tha Shala.

Përderisa Kosova vazhdon të jetë nën masa ndëshkuese të BE-së, u rihap çështja e hapjes së urës së Ibrit. Deputeti i Vetëvendosjes Muja la të kuptohet se një gjë e tillë do të ndodhë së shpejti.

“ Unë e di që së shpejti do të ketë punime në lagjen e Boshnjakëve dhe do të nevojitet të hapet rruga për lëvizje pasi që shqiptarët në Kroin e Vitakut dhe Kodrës së Minatorëve kanë kogja distancë deri në qendër, ndërsa ideja e BE-së është për të ndërtuar ura dhe paqe prandaj lëvizja e lirë është një nga shtyllat kryesore të BE-së”, tha Muja.

Në lidhje me urën mbi Ibër deputeti i PDK-sët Shala tha se Kosova duhet të koordinohet me partnerët ndërkombëtarë. Në të kundërtën, sipas tij, izolimi i vendit dhe sanksionet do të vazhdojnë

“Kosova të gjitha muret i ka rrënuar me ndihmën e aleatëve ndërkombëtar dhe në bashkëpunim me ta, prandaj çdo veprim i njëanshëm do të jetë me pasoja për vendin”, shtoi Muja.