PSD: Kosova ta njohë Palestinën si shtet, Netanyahu po i ngjan Millosheviqit
Foto: Laura Hasani

PSD: Kosova ta njohë Palestinën si shtet, Netanyahu po i ngjan Millosheviqit

Aktuale June 04, 2024 - 19:37

Partia Socialdemokrate e Kosovës (PSD) ka bërë thirrje publike për qeverinë që të njohë zyrtarisht Palestinën si shtet të pavarur.

Kjo iniciativë vjen si pasojë e konfliktit të vazhdueshëm në Gazë, i cili është përshkruar nga PSD si një “katastrofë që po shkon drejt gjenocidit” dhe ka rezultuar në humbjen e jetës të afërsisht 36 mijë civilëve, përfshirë një numër të madh fëmijësh dhe të moshuarish.

Në një deklaratë të fundit, PSD ka bërë krahasimin e kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, me ish-liderin serb Slobodan Miloševië, duke e akuzuar atë për përdorimin e konfliktit si një mjet për të ruajtur pushtetin e tij dhe për izolimin progresiv nga bashkësia ndërkombëtare.

Sipas PSD-së, Netanyahu po mbahet në pushtet përmes “gjakut dhe mizorive në Gaza”, dhe paqja për të nënkupton humbjen e kontrollit dhe nisjen e dialogut për zgjidhjen e konfliktit ndërmjet dy shteteve.

Deklarata vëren se zgjidhja për konfliktin duhet të shkojë përtej një armëpushimi të thjeshtë dhe të adresojë rrënjët e problemit për të siguruar që lufta të mos përsëritet.

“Paqja dhe liria janë të pandashme në Palestinë, dhe paqja e vërtetë do të thotë vetëvendosje për Palestinën,” thuhet në deklaratë.

PSD shpreh mbështetjen e saj për fushatën ndërkombëtare për njohjen e shtetësisë palestineze, duke iu referuar veprimeve të ngjashme të ndërmarra nga Spanja, Norvegjia, Irlanda dhe pritshmëritë për një veprim të ngjashëm nga Sllovenia.

“Kërkesa jonë për qeverinë është njohja e Palestinës si shtet, si një hap drejt paqes, lirisë dhe vetëvendosjes. Liria është nervi njerëzor që lidh shpirtërat e njerëzve,” përfundon deklarata.