Prokurori për gazetën e konfiskuar në shtëpinë e Selimit: Në intervistë Lushtaku thotë se kanë vrarë kolaboracionistë

Prokurori për gazetën e konfiskuar në shtëpinë e Selimit: Në intervistë Lushtaku thotë se kanë vrarë kolaboracionistë

Aktuale June 04, 2024 - 14:40

Gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarit Nuhi Bytyci, prokurori Matt Halling ia prezantoi atij një intervistë të Sami Lushtakut në gazetën “Kombi” të 23 majit 1998 në të cilën kishte thënë se përveç oficerëve e ushtarëve të policisë serbe kanë vrarë edhe kolaboracinistë (bashkëpunëtor të Serbisë).

“Sami Lushtaku thotë kështu: Deri më sot nuk kemi vrarë as gra as fëmijë. Kemi vra oficer policie, ushtarë dhe kolaboracionistë. Duhet merrni parasysh një faktor të rëndësishëm që të gjithë kolaboracionistët që janë likuiduar kanë qenë pjesë e forcave okupatore të sistemit okupator në Kosovë dhe asnjëri prej tyre nuk ka qenë i paarmatosur”, tha prokurori, raporton “Betimi për Drejtë”.

Ndërsa, dëshmitari tha se nuk mbanë përgjegjësi për intervista të tilla duke shtuar që për intervista të kolegëve të tij të mos pyetet.

“Për intervistat e gazetarëve, kolegëve të tjerë mos me pyetni. Nuk majë përgjegjësi për ato intervista”, tha dëshmitari.

Pas kësaj, prokurori tha që ky është dokument që mund të pranohet dhe është një material që është sekuestruar nga shtëpia e Rexhep Selimit dhe është intervistë me Sami Lushtakun me një gazetar që dëshmitari e ka vërtetuar se është gazetar dhe intervistën e tij e ka parë, por në një media tjetër.

Një gjë e tillë u kundërshtua nga mbrojtja e Selimit përmes avokatit i cili tha se nuk ka tregues autenticiteti. Mirëpo, me urdhër të trupit gjykues, ky dokument u pranua.

Përpara kësaj, prokurori kërkoi që bllok-shënimesh të pranohet si provë duke treguar se është sekuestruar nga shtëpia e të akuzuarit Selimi. Po ashtu, sërish pati kundërshtim Tully i cili tha se në atë bllok shënim ka disa dorëshkrime të ndryshme dhe nuk vërtetojnë autorësi e po ashtu kundërshtojnë veprimtaritë që përshkruhen aty. Edhe Emmerson tha se një dokument i tillë duhet kundërshtuar.