LVV-ja reagon pas bisedës së Kusarit me Radoiçiqin: Me neve ai ikë maleve me bisht nën shalë, e nuk zë vend në karriget e zyrës së Kryeministrit
Foto: Zëri

LVV-ja reagon pas bisedës së Kusarit me Radoiçiqin: Me neve ai ikë maleve me bisht nën shalë, e nuk zë vend në karriget e zyrës së Kryeministrit

Aktuale June 04, 2024 - 11:02

Nga Lëvizja Vetëvendosje kanë reaguar pas publikimit të një bisede telefonike, që thuhet të jetë zhvilluar para disa muajsh ndërmjet shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari Lila dhe ish nënkryetarit të Listës Serbe, Millan Radoiçiq.

Arlind Manxhuka, drejtues i zyrës për media në Lëvizjen Vetëvendosje, thotë se “ata që kanë bërë biznese, koalicione, qeveri e miqësi me Radoiçiqin nuk mund të na bëjnë gjyqin neve sot”.

“Trashëgimia e keqe e tyre nuk bëhet dot mëkat i yni. Ata që kanë bërë biznese, koalicione, qeveri e miqësi me Radoiçiqin nuk mund të na bëjnë gjyqin neve sot. Me neve Radoiçiq ikë maleve me bisht nën shalë, e nuk zë vend në karrigat e zyrës së Kryeministrit”, ka theksuar Manxhuka në reagimin e bërë në Facebook.

Tutje, ai ka pohuar se qytetarët e dinë më së miri se ku qëndron Radoiçiqi para Qeverisë Kurti.

“Kjo është sa për përkujtim për të gjithë korin kritikues e akuzues që i kemi dëgjuar dje e sot. Tjerat i gjykon më së mirë qytetari. Ai më së miri e di se ku ishte Lista Serbe dhe Radoiçiq para qeverisë sonë, dhe ku janë sot”, vijon reagimi.

Ndryshe, të hënën është publikuar një përgjim që mendohet të jetë i vitit 2022, Ku Mimoza Kusari-Lila flet ne telefon me Milan Radoiçiqin.

Mimoza Kusari-Lila e kishte konfirmuar bisedën me Radoiçiqin në atë kohë.