Jasharaj: Kurti do mbahet mend si armik i sindikatave
Rrahman Jasharaj, kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), tha se Qeveria e Kosovës bën çdo luftë ta shkatërrojë SBASHK-un dhe se Kryeministri Albin Kurti do të mbahet mend si armik i sindikatave.
“Le t’i bëjë edhe 30 lufta. SBASHK-u do të jetojë se ka jetu në vite të tmerrshme në vitet ’90-ta. Aty e kemi na fillin e unitetit dhe këto vitet e pasluftës që kemi ra në shoshë e në sitë. Ne nuk e kemi pas të lehtë as në kohën e Ramush Haradinajt, kemi ba një grevë tri-javore. Por, asnjë sulm publik nga Qeveria madje as nga Facebook nuk e kemi pas. Në këtë Qeveri, shaj Qeveria, mëshoi Qeveria, nxiti Facebook-at dhe unë po them që Kurti për mua dhe SBASHK-un do të mbahet mend si armik, si luftëtar kundër sindikatave në Kosovë”, tha Jasharaj.
Jasharaj tha se ata dhe sindikatat tjera më të vogla po goditen vazhdimisht. Ndërsa, goditje të rëndë e cilësoi obligimin për regjistrimin e sindikalistëve në platformën e-Kosova.
“Jemi goditur edhe ne, po goditen rëndë e goxha vështirë që të mbesin në këmbët e tyre iu ka ndodhur sindikatave numerikisht më të vogla. Ato buxhetin e kanë pasur të akumuluar shumë pak ngase edhe hyrjet e tyre buxhetore kanë qenë shumë modeste, e kur janë ndërprerë ato me aq pak para nuk kanë mundur me mbajtë as një zyre”, tha Jasharaj për Betimin për Drejtësi.
Ai tha se fati i SBASHK-ut ka qenë që kishin numër të konsideruar të anëtarëve.
“Para këtij sulmi të zotëri Muratit ne kemi pasur 26 mijë anëtarë, të gjithë e kanë pagu kuotën e cila te na me statut është 05 në pagën bazë dhe kjo krijonte goxha buxhet dhe për inat të Muratit e publikisht e kemi thënë se edhe po të na ndodhte 7 vite të mos kishim asnjë të hyrë nga kuota, ne do t’i mbanim të gjitha aktivitetet edhe me pushimet në deti edhe të gjitha”, tha Jasharaj.
Kryetari i SBASHK-ut thotë se kishin kujdes me buxhet dhe po ashtu kishin buxhet të akumuluar, pasi kishin anëtarë shumë dhe e paguan kuotën.
Pavarësisht të gjithave, ai tha se kishin arritur ta krijonin një buxhet që është i mirë për rrethanat në të cilat është Kosova.
“Murati duke e parë këtë dhe madje kemi pas rastësisht një takim te Murati me sponsorizimin e kryetarit të kolegut që është i Doganave sepse ata i kanë marrëdhëniet më të mira sepse shteti ynë i ka sytë në Dogana dhe e bëri hatri i atij. Ata u ankuan çka na bëri me këtë, ai e tha, i plasi pak barku, ‘këqyreni pak SBASHK-un’ se ai gjithmonë ka këqyrë pak me një sy te tjerët, me dy sy te na. Dhe çka ndodh e keqja tjetër, goditja tjetër që s’mund ta quaj ndryshe veç pafytyrësi, se kur e pa që po mbërrijnë na me kthy numrin sepse është besimi tash e kanë bërë një stil tjetër, një pjesë goxha të madhe diku 1 mijë anëtarëve që neve na i bijnë vërtetimet nga e-Kosova që janë regjistruar, që në lista të pagave ju shënohet, nuk ndalen në Thesar. Domethënë ne jemi të goditur edhe me një goditje tjetër”, tha Jasharaj.
Jasharaj tha se tani janë mbi 19 mijë anëtarë, ndërsa thekson se nuk ka tërheqje përveç në rastet e pensionistëve që largohen nga listat. Ai tha se pret që ky numër të rritet.
I njëjti shtoi se e-Kosova nuk i pranon mësimdhënësit që nuk janë shtetas të Republikës së Kosovës.