Një vit nën masat e BE-së: LVV-ja pretendon se ka një marrëveshje që është diskutuar pas dyerve të mbyllura
Foto: Laura Hasani

Një vit nën masat e BE-së: LVV-ja pretendon se ka një marrëveshje që është diskutuar pas dyerve të mbyllura

Aktuale June 04, 2024 - 08:12

Masat ndëshkuese që Bashkimi Evropian ka vendosur ndaj Kosovës në korrik të vitit të kaluar, ende nuk janë larguar për Kosovën.

Kushti kryesor nga BE-ja, për largimin e masave vazhdon të jetë rrjedhja e situatës në terren dhe dialogu për normalizimin e raporteve me .

Njëra nga kërkesat ishte mbajtja e votimeve në veri në prillin e këtij viti, por përkundër saj, masat po vazhdojnë të mbesin në fuqi dhe deri më tani s’ka ndonjë lëvizje për largimin e tyre.

Opozita në vend e fajëson Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, për vendosjen e masave, derisa thonë se kanë kërkuar në secilin takim me zyrtarë evropian e ambasadorë të shteteve të BE-së në Kosovë, heqjen e këtyre masave.

Deputeti i LVV-së, njëheri anëtar në Komisionin për Integrime Evropiane, Agon Batusha, thotë për FrontOnline se deri më tani nuk ka ndryshim të qasjes së BE-së, sa i përket heqjes së masave të tyre ndaj Kosovës.

“Nuk ka ndonjë ndryshim të qasjes së BE-së për heqjen e masave ndaj Kosovës”, thotë ai.

Batusha, shprehet se i konsiderojnë të padrejta masat dhe se të njëjtat duhet të hiqen.

“Ne i vlerësojmë të padrejta dhe se ato duhet të hiqen. Sipas informatave deri tash s’ka ndonjë ndryshim. Këto masa janë të padrejta dhe gjitha zotimet tona ne i kemi përmbushë dhe këto masa ish dashur me heq, por kjo më shumë e shpërfaq mos unfiikimin e politikës së jashtme brenda për brenda BE-së, sepse nuk ka unifikim brenda BE-së për heqjen e masave dhe urojmë që BE ti heq sa më shpejtë ato. Ne në vazhdimësi ku do që jemi dhe shkojmë, është temë edhe heqja e masave ndaj Kosovës”, deklaroi ai.

Deputeti i LVV-së potencon se zyrtarë të BE-së ju kanë thënë se është një marrëveshje që duhet shqyrtuar për heqjen e masave, por kjo ka ndodhur prapa dyerve të mbyllura.

“Natyrisht se ata kanë thënë se është një marrëveshje dhe duhet të shqyrtojmë por s’mund të jap detaje sepse janë diskutuar në dyer të mbyllura. Nuk mund të shtohen kërkesat ndaj një mase që është marr për një çështje tjetër”, thekson Batusha.

Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, thotë se janë takime të vazhdueshëm me ambasadorët e shteteve të BE-së në Kosovë, por se nuk vendosin ata kur hiqen këto masa.

“Ne ambasadorët i takojmë rregullisht, si Komision, por problemi është se masat nuk i kanë vendosur ata, por i ka vendos BE-ja dhe ata vendosin kur i heqin”, deklaroi ai.

Haliti, thotë se para disa ditësh Josep Borrell ka dërguar një raport mbi masat e Kosovës nga BE-ja, për të parë nëse hiqen ose jo, apo vazhdohen ato.

“Para disa ditësh përfaqësuesi Borrell e ka dorëzu raportin në BE dhe në bazën e atij raporti mund të vendoset a hiqen, a shtohen, apo vazhdojnë masat”, theksoi Haliti.

Ai thotë se nuk është i sigurt nëse BE i heq masat para pushimeve verore.

“Nuk jam për atë punë i sigurt, sepse nuk është në dorën time, duhet merret Qeveria me atë punë dhe të i zbatojë marrëveshjet e BE-së, sepse BE nuk i ka vendos për qejf të vetin por përse Qeveria nuk i ka mbajtë premtimet”, potencoi Haliti

Deputetja e AA-së, Time Kadrijaj, deklaroi se kryeministri Albin Kurti, ka shkelur mbi kushtet dhe parimet e vendosura nga BE-ja dhe për këtë janë vendosur kushtet nga ana e tyre.

“Njëra nga kushtet ka qenë me u deeskalu situata, mos me ndërhy policia në Veri, mbajtja e zgjedhjeve të lira atje, por z.Kurti ka marr veprime në kundërshtim me këto qëndrime dhe nuk është konsultuar me aleatët tanë”, u shpreh ajo.

Kadrijaj thotë se dihen arsyet pse janë vendos masat.

“Masat e BE-së ndaj Kosovës, dihen botërisht pse janë vendos. BE i ka bërë publike arsyet pse janë vendos ato”, deklaroi ajo.

Deputetja Kadrijaj potencon se në çdo takim kërkojnë heqjen e masave të BE-së dhe se humbja është rreth 500 milion euro.

“Edhe pse si opozitë kërkojmë të i heqin masat Kosovës sepse kemi humbje 500 milion euro, dhe mendoj se do të sanksionohemi përsëri. Ata qëndrojnë në kushtet e tyre. Ne kemi takuar edhe ambasadorët e QUINT-it. Kanë qenë kërkesa unike të gjithë spektrit se masat duhet me iu heq Kosovës masat”, shtoi ajo.

Deputetja e AAK-së, thekson se BE-ja ka qenë dashur të vendos masa ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe jo ndaj Kosovës.

“Nuk mendoj se ka qenë e drejtë, por nëse Kurti kishte punuar drejt, nuk kishim ardhur këtu, sepse ai është zgjedhur me qeveris me vendin dhe jo ta vështirësoje jetën e qytetarëve. Nëse dikush duhet sanksionet, duhet sanksionohet zotëri Kurti dhe jo Kosova për shkak të veprimeve ë tij”, potencoi Kadrijaj për FrontOnline.

Ndryshe, masat ndëshkuese përfshijnë: suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Po ashtu masat përfshijnë edhe ndaljen e programimit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit). Propozimet e Kosovës në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor nuk janë dorëzuar për shqyrtim nga bordi më 29 dhe 30 qershor.