Kica-Xhelili për përgjimet telefonike: Shefja e deputetëve të LVV e shndërroi Radoiçiqin nga një terrorist në një “zemlak” miqësor
Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili ka reaguar pas publikimit të bisedës mes shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila dhe Milan Radoiçiqit, kryeorganizator i sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.
Përmes një shënimi në Facebook, Kica-Xhelili thotë se shefja e deputetëve të LVV e shndërroi Radojqiçin nga një terrorist në një “Zemlak” miqësor.
“Sot, shefja e VV e shndërroi Milan Radojçiç nga një terrorist në një “Zemlak” miqësor. Kryeministri Kurti e ‘lau’ Oliver Ivanoviç duke e shndërruar nga një vrasës shqiptarësh në burrështetas të suksesshëm”, ka shkruar Kica Xhelili.
Deputetja opozitare thotë se pavarësisht që “u ka rënë perdja”, LVV vazhdojnë këtë valle patriotizmi të rrejshëm.
“Në krejt këtë valle patriotizmi të rrejshëm, vetëm një dilemë e kam. Si ka mundësi që kaq pafytyrësisht e vazhdoni vallen edhe pasi ju ka rënë perdja?”, ka shtuar tutje Kica-Xhelili.
Pas publikimit të këtyre bisedave kanë filluar reagimet nga eksponent të ndryshëm të jetës publike e politike.
Përmes një reagimi në Facebook, Ish inspektori i AKI-së Burim Ramadani ka thënë se “’Raportimi’ tek Radoiçiq është cenim i sigurisë kombëtare”.
Ndryshe sot është publikuar një përgjim që mendohet të jetë i vitit 2022, Ku Mimoza Kusari-Lila flet ne telefon me Milan Radoiçiqin.
Mimoza Kusari-Lila e kishte konfirmuar bisedën me Radoiçiqin në atë kohë./telegrafi