Rohde: Gjermania mbetet e përkushtuar që Kosova të anëtarësohet sa më parë në KiE
Foto: Laura Hasani

Rohde: Gjermania mbetet e përkushtuar që Kosova të anëtarësohet sa më parë në KiE

Aktuale June 03, 2024 - 16:30

Ambasadori i Gjermanisë Jorn Rohde, ka thënë se vendi i tij mbetet e përkushtuar për ta anëtarësuar Kosovën në Këshillin e Evropës, sa më parë.

Por, sipas tij kjo nuk mund të ndodh pa formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Këtë deklarim Rohde e bëri pas takimit me përfaqësues të organizatave joqeveritare IKD dhe FOL me të cilët tha se foli për përmirësimin e qasjes në drejtësi.

“Për ta forcuar sundimin e ligjit dhe për t’u përgatitur Kosova për Këshillin e Evropës ne do ta mbështesim projektin e përbashkët të Institutit të Kosovës për Drejtësi/FOL për ta përmirësuar qasjen në drejtësi në përputhje me standardet e KiE. Gjermania mbetet e përkushtuar për ta futur Kosovën në Këshill sa më shpejt. Ecja përpara me Asociacionin do ta bëjë këtë të ndodhë”, shkroi diplomati gjerman në rrjetin social X.

Në maj, Kosova dështoi të anëtarësohej në Këshillin e Evropës, pasi Qeveria nuk e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin e BE-së për Asociacionin, që ishte kusht për anëtarësimin e vendit në Këshillin e Evropës.