Kurti pas takimeve me mërgimtarët në Stamboll: Përfaqësojnë shtetin dhe popullin tonë në Turqi
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka qëndruar në një vizitë zyrtare në Turqi.
Kurti thotë se gjatë vizitës së tij nuk kanë munguar as takimet me mërgimtarët.
“Çdo vizitë jona jashtë vendit shoqërohet me njohje nga afër e shkëmbime të rëndësishme me pjesëtarë të mërgatës sonë. As në Turqi nuk mund të mungonin këto takime, aty ku mërgata jonë është e madhe dhe e suksesshme. Gjatë dy ditëve në Stamboll takuam afaristë shqiptarë e me prejardhje shqiptare nga sektorë të ndryshëm që veprojnë në Turqi dhe bashkëbiseduam e u shoqëruam me mërgatën në Qendrën Kulturore në Zejtinburnu”, pohoi Kurti.
Tutje, ai shkroi se “ata janë përfaqësimi i shtetit dhe popullit tonë në Turqi, lidhja ndërmjet dy shteteve dhe popujve dhe bartin një rol qenësor në afirmimin e vendit tonë dhe zhvillimin gjithmonë e më të madh të tij”.
“Ju faleminderit shumë për bisedat e këndshme dhe për mikpritjen që do ta mbajmë mend përherë”. /Zëri