BIK-u njofton se është nisur grupi i tretë drejt vendeve të shenjta për haxhillëk
Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) ka njoftuar se sot 351 besimtarë myslimanë janë nisur drejt vendeve të shenjta për ta kryer haxhillëkun.
BIK-u thotë se të gjitha fluturimet janë duke shkuar sipas planit të paraparë.
“Sot, herët në mëngjes, nga aeroporti ndërkombëtar ‘Adem Jashari’ në Prishtinë 351 besimtarë nga Prishtina, Lipjani, Fushë-Kosova dhe Obiliqi janë nisur drejt vendeve të shenjta për ta kryer haxhin”, njofton BIK-u.
Tutje, BIK-u shton se ky ishte grupi i tretë që udhëtoi.
“Sipas udhëheqësve të Haxhit në Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, çdo gjë sa u përket fluturimeve është duke shkuar sipas planit të paraparë. Sot pritet të udhëtojnë edhe grupet e tjera të besimtarëve, për të plotësuar kështu numrin prej 1576 besimtarë, që do ta kryejnë haxhin këtë vit nga Kosova”, vijon njoftimi.
Personi më i ri i cili do të niset për të kryer haxhin është një 13-vjeçar.