Osmani erdhi më 12 dhe 13 maj në Kosovë, dy ditë para letrës “krye më vete” të Gërvallës për Asociacionin
Foto: Laura Hasani

Osmani erdhi më 12 dhe 13 maj në Kosovë, dy ditë para letrës “krye më vete” të Gërvallës për Asociacionin

Aktuale May 29, 2024 - 22:59

Sot e pamë të zhveshur krejt ‘plasaritjen’ mes dy institucioneve më të larta të shtetit, kur Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bëri të ditur pa-një-pa-dy se një OJQ-ist i huaj si Gerald Knaus kishte ditur më shumë se ajo – dhe ishte konsultuar e koordinuar më shumë se ajo – nga vetë Qeveria e Kosovës për çështjen e veprimeve drejt anëtarësimit (që ishte në prag) në Këshillin e Evropës; sferë kjo kushtetueshmërisht në kompetencë të saj.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, rroku nervin e keq të Osmanit kur në përpjekjet për të arsyetuar mosnjoftimin e Osmanit rreth letrës së qeverisë kosovare në emër të Gërvallës për Asociaconin e dha si çështje mosprezence fizike të saj në vend. “Largësia”, sipas Konjufcës, çoi te mënjanimi i komunikimit me Osmanin në këtë çështje.

Osmani në këtë kontekst e ka shterrur logjikën e Konjufcës me tonet më të mprehta ndonjëherë, por Nacionale merr vesh se indinjata e saj mund ta ketë burimin edhe shumë më thellë se kaq. Kjo ngase, siç kuptojmë nga burimet tona, dy-tri ditë para dërgimit të letrës së Gërvallës (15 maj), Vjosa Osmani nuk kishte qenë jashtë vendit, por kishte mbërritur në Kosovë.

Image

Nga Dallasi (SHBA) më 11 maj ora 20:40 Vjosa Osmani kishte fluturuar për në Stamboll (Turqi) ku kishte ateruar më 12 maj ora 16:50 , ndërsa prej Stambollit më 12 maj ora 19:00 kishte ateruar në Shkup në po atë ditë në ora 19:30. Këtë kohëndodhje e kuptuam nga burimet e Nacionales.

Por, përtej kësaj, edhe në një rishikim në profilin e saj në Facebook, një gjë e tillë del të jetë e lexueshme dhe e faktueshme.

Më 13 maj Vjosa Osmani, ka postuar në Facebook prej objektit të Presidencës së Kosovës, duke u regjistruar dhe duke u bërë thirrje qytetarëve që të regjistrohen në censusin e vitit 2024 që po kryhej nga Agjencia Kosovar i Statistikave.

Image

Për letrën e Gërvallës ku shteti – pa Osmanin – zotohej se deri në fund të majit kishte nisur një proces hartimi të një draft-Statuti të Asociacionit që do të përfundonte deri në fund të majit bashkë me dërgimin e saj për rishikim kushtetues në Gjykatën Kushtetuese kishte reaguar menjëherë Presidenca e Kosovës, përmes zëdhënësit Bekim Kupina.

Tek sot, Vjosa Osmani edhe vetiu e shpërfaqi se sa thellë shkonte indinjata e saj, kur iu përgjigjur arsyetimit, sipas saj, “qesharak”, të Glauk Konjufcës.

“Unë nuk e kam dëgjuar një deklaratë të tillë do të befasohesha jashtëzakonisht shumë në qoftëse dikush vërtetë deklaron diçka të tillë sepse jemi në vitin 2024 ku telefonat funksionojnë shumë mirë pavarësisht në cilën zonë kohore jemi dhe në të njëjtën kohë të gjitha komunikimet tona deri tani në këto tri vite e gjysmë të bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e politikës së jashtme kane qenë pikërisht përmes telefonit sepse dikush nga institucionet gjithnjë ka qenë jashtë vendit dhe të thuhet që një informatë kaq fondamentale për një proces kaq kapital që e ka ndryshu në tërësi qëndrimin që ne e kemi mbajt deri atë ditë. Që nuk mund të nxirret çështja e Asociacionit nga marrëveshja e tërësishme, që nuk mund të ketë zbatim të njëanshëm të marrëveshjes vetëm nga Kosova por duhet të ketë zbatim paralel, që nuk mund të ndërlidhet procesi i dialogut me procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës”, ka thënë ajo.

“Të gjitha kanë rënë në ujë me ofertën që është bërë atë ditë sepse ajo ofertë nuk ka qenë as për nga përmbajtja e as për nga procedura vazhdimësi e listës së zotimeve që e kanë nënshkruar të tre liderët prandaj është domosdoshmëri kushtetuese në përputhje me nenin 84 që qeveria ta koordinojë një veprim të tillë me udhëheqësen e politikës së jashtme që sipas kushtetutës sonë gjithnjë ka qenë dhe mbetet institucioni i presidencës e të thuhet që kjo në çfarëdo mënyrë paska pas të bëjë me largësinë për mua është diçka që nuk dua ta besojë që dikush e thotë sepse nuk ka fare të bëjë me realitetin dhe tregon që në njëfarë mënyrë po tentohet që ky moskoordinim për një çështje kaq kapitale të lihet si faj të presidenca që për mua është vërtetë edhe shumë qesharake sepse të gjitha institucionet e dinë shumë mirë që presidentja e vendit ka qenë 24 orë të çdo ditë të javës në komunikim me të gjithë për tema të rëndësisë kapitale sidomos në fushën e politikës së jashtme që janë brenda mandatit të presidentes e kjo absolutisht për mua është befasi tepër e madhe se kushdo qoftë ta thotë një gjë të tillë mund të ketë qenë ndonjë dezinformatë që është bartur te kryetari i kuvendit sepse me të si kryetar i kuvendit kemi bashkëpunim të shkëlqyeshëm asnjëherë nuk ndodh që mos të koordinohemi për tema të rëndësishme edhe kur jemi jashtë vendit i kemi telefonat ka mënyra të sigurta të komunikimit të cilat i posedojmë dhe është edhe çështja tjetër”, ka thënë ajo.

“Në qoftë se tema paska qenë të mos prezenca fizike në Kosovë, atëherë si është e mundur që një njeri nga shoqëria civile në Gjermani që po ashtu nuk ishte prezent në Kosovë e mori atë letër para Presidencës së vendit, para Parlamentit të vendit, para shoqërisë civile në Kosovë, para popullit të Kosovës dhe e botojë atë në Twitter, pra për ta informuar një person që fare nuk është në institucione paska pasur mënyra kurse për ta koordinuar dhe vendosur bashkërisht një temë të tillë nuk paska pasur mënyra që të koordinohet me presidenten. Kjo vërtetë është qesharake”, ka thënë Osmani.