Gashi: Kosova barazohet në AP-NATO si shtetet tjera
Foto: Laura Hasani

Gashi: Kosova barazohet në AP-NATO si shtetet tjera

Aktuale May 27, 2024 - 23:49

Xhavit Gashi, ish- atashe ushtarak në SHBA, sonte në Edicionin Special në Klan Kosova, ka komentuar lidhur me avancimin e statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asociuar të Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

Gashi tha se tashmë Kosova ka një vend për t’i adresuar çështjet e sigurisë dhe rreziqet me të cilat kanosemi.

“Ka shumë rëndësi politikë në aspektin e sigurisë. Kemi mundësinë që Kosova ta ketë fjalën e vet, t’i ketë informacionet dhe inputin e vet në përpilimin e rezolutave dhe të përfitojë nga programet. Tani kemi qasje formale në Asamblenë e NATO-s, për të adresuar çështjet e sigurisë, me rreziqet që kanosemi”, tha Gashi.

Ai tutje ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe delegacionin e Kosovës.

“I falënderoj SHBA-në dhe të gjitha shtetet anëtare që na kanë mbështetur në këtë udhëtim. Si dhe të gjithë delegacionin e Kosovës. Mendoj se kjo do të ketë impakt efektiv. Gjasat janë të përafrimit me NATO-n, sepse parlamentarët tanë janë të ulur me shtetet që nuk na kanë njohur. Do të dëgjojnë për preokupimet”, tha ai.

Ndryshe, Gashi potencoi se Kosova është më shhumë se kurrë afër anëtarësimit në NATO. /KlanKosova.tv