Ekzekutivi nis procesin e themelimit të Shkollës për Administratë Publike
Foto: Laura Hasani

Ekzekutivi nis procesin e themelimit të Shkollës për Administratë Publike

Aktuale May 26, 2024 - 15:30

Qeveria po planifikon themelimin e Shkollës Kombëtare të Administratës Publike, që pritet të përforcojë kapacitetet e shërbimin civil. Themelimi i kësaj shkolle po shihet gjithashtu si një hap tjetër në procesin e reformës së administratës publike në vend.

Me qëllim fuqizimit të administratës publike dhe ngritjes së profesionalizimit të shërbimit civil, Qeveria po planifikon themelimin e Shkollës Kombëtare të Administratës Publike.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Bardhyl Dobra, thekson se kjo shkollë do të jetë një pjesë e rëndësishme e procesit të reformës së administratës publike.

“Kjo shkollë do ta mundësoj përforcimin afatgjatë të kapaciteteve në shërbimin civil. Po flasim për formësimin e kuadrove për 20 vitet e ardhshme”, thotë Dobra.

Radio Kosova ka pyetur Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, se kur planifikohet të nisë punën shkolla për administratë publike.

Nga MPBAP, pa treguar ndonjë datë kanë thënë se Qeveria ka krijuar një bord këshillues me ekspertë ndërkombëtarë e vendorë, të cilët janë duke “shikuar modele të ndryshme në Evropë e më gjerë” për themelimin e shkollës. Tutje në përgjigjen e ministrisë thuhet se “SHKAP do të jetë nyja kyçe në formësimin dhe trajnimin afatgjatë të burimeve njerëzore të administratës shtetërore” dhe se shpresojnë që shkolla të jetësohet sa më parë.

Naser Shamolli, hulumtues në Grupin për Studime Juridike dhe Politike pohon se krijimi i shkollës së administratës publike është hap i mirë. Por, sipas tij, çdo iniciativë që ndërmerret për krijimin e kësaj shkolle duhet të ketë për bazë mirëfunksionimin e saj.

“Nëse nuk bëhet kjo, atëherë duhet të fuqizohen mekanizmat institucional që i kemi, në këtë rast Instituti për Administratë Publike. Krijimi i një institucioni të ri nuk e zgjidh problemin, nëse ai nuk ka kapacitete financiare e njerëzore”, thotë ai.

Në Kosovë, që nga viti 2003 funksionon Instituti për Administratë Publike, i cili është përgjegjëse për zbatimin e politikave dhe strategjive të trajnimit dhe zhvillimit të kapaciteteve në shërbimin civil.